Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Deputetët ekskursion te inceneratorët, faktet i ka publikuar LSI-ja, le të ndjekin paratë


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka quajtur ekskursion, vajtjen e deputetëve të Komisionit Hetimor te inceneratorët.

LSI-ja, thotë Kryemadhi, ka bërë publike faktet dhe ato nuk gjenden te muret e kapanoneve.

Të dashur qytetarë. Video eksursionet e deputetëve në vend ndërtimet e inceneratorëve, që zbarkojnë në mënyrë pompoze, si të jenë oficerë policie në vendin e krimit, janë tërësisht të panevojshme për zbardhjen e të vërtetës.

Ky grup i strukturuar kriminal me zyrtarë shtetëror, i përfshirë tek afera e inceneratorëve, e ka konsumuar veprën penale nga komoditeti i karrigeve të tyre në zyrat e shtetit!

Faktet, që LSI ka bërë publike prej kohësh, nuk gjenden duke parë muret e kapanoneve por janë lehtësisht të aksesueshme nëse lexohen letrat e procedurës dhe ndiqet rruga e parave.

Faktet, LSI i ka dorëzuar të plota në SPAK dhe mbetemi besimplotë se, sado të vonohet në kohë, asnjë prokuror dhe gjyqtar me integritet, nuk do mundet t’i anashkalojë shkeljet ligjore trashanike që zyrtarët dhe miqtë e tyre kanë kryer”-shkruan Kryemadhi.

Kryemadhi më tej thotë se e njëjta sekuestro e zbatuar për inceneratorin e Elbasanit duhej zbatuar edhe për atë të Tiranës dhe për atë Fierit.

“Po risjell edhe njëherë në kujtesën tuaj, e mbi të gjitha të drejtësisë, se e njejta sekuestro preventive që është zbatuar nga SPAK për rastin e Elbasanit, duhet të zbatohet pa humbur kohë edhe për 2 të tjerët.

Inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës duhet të ishin prej kohësh të bllokuar, ashtu siç duhet të ishin bllokuar edhe pagesat e qeverisë për to!

Shikoni dhe njëherë se si, të njejtat kompani fiktive që zyrtarët i kanë përdorur në rastin e Elbasanit për të marrë përfitime të parregullta monetare, janë përdorur edhe në inceneratorin e Tiranës dhe Fierit. Koha për veprim!”-shkruan kryetarja e LSI.