Vendosni fjalën kyçe....

Lituania kërkon prani të përhershme të ushtrisë amerikane


Presidenti i Lituanisë thotë se ky shtet i Baltikut do të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara që të kenë prani të përhershme ushtarake në këtë vend, teksa aleatët perëndimorë po kërkojnë që të forcojnë sigurinë, pas shqetësimeve lidhur me krizën në Ukrainë.

“Patjetër, ne do të flasim me SHBA-në që të sigurohemi që forcat amerikane të jenë përgjithmonë në Lituani”, tha presidenti Gitanas Nauseda gjatë një konference për media më 9 janar.

“Ky do të ishte forcimi më i mirë për sigurinë dhe mundësia më e mirë që NATO-ja mund të ofrojë jo vetëm për Lituaninë, por për gjithë rajonin”, tha ai.

Që prej vitit 2019, SHBA-ja ka dislokuar në rotacione rreth 500 trupa luftarake në Lituani, shtet anëtar i NATO-s dhe ish-shtet i Bashkimit Sovjetik, që gjendet në kufi me enklavën Kaliningrad të Rusisë.

Edhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë njoftuar për plane për të rritur prezencën ushtarake në Evropën Lindore dhe në Baltik, pas rritjes së tensioneve me Moskën, që ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën.