Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do ta vuajë dënimin në Burgun e Fierit. Ky është vendimi që ka marrë sot Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për transferimin e ish-ministrit nga 313-ta, ku ndodhej prej disa ditësh.
Kujtojmë se pas dënimit të dhënë nga Apeli i GJKKO-së, ish-ministri Tahiri fillimisht u transferua në burgun 313.
Ai thuhet se për arsye sigurie u la i vetëm në një qeli, pasi në kohën kur ka qenë ministër i Brendshëm, janë arrestuar shumë nga të burgosurit që ndodhen aty.
Tahiri u dënua vetëm për akuzën “Shpërdorim detyre” duke i shpëtuar akuzave të tjera për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Avokati i Tahirit, Maksim Haxhia ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë të vendimit të marrë nga Apeli i GJKKO për dënimin me 3 vjet e 4 muaj burg.