Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas kallëzimit penal të presidentit Ilir Meta për falsifikim të dokumenteve.
Në një njoftim për mediet, Kuvendi thotë se pretendimet e presidentit Meta për falsifikim dhe manipulim nuk qëndrojnë.
“Në respekt të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendim, Kuvendi respekton heshtjen dhe nuk bën komente për rastin në fjalë.
Përsa i takon pretendimeve të Presidentit të Republikës për manipulim ose për fallsifikim, me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë.
Kuvendi i Shqipërisë, në datën 4 shkurt 2022, ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim.”– thuhet në reagimin e Kuvendit.
Presidenca dorëzoi sot në prokurori kallëzimin për Kuvendin, të cilin e akuzon se ka shkelur ligjin sa i takon procedurave për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, që tashmë po shqyrtohet në Kushtetuese.
Kallëzimi penal është publikuar në faqen zyrtare të Presidencës. Ku thuhet se dokumentet e sjella nga përfaqësuesit e maxhorancës në Kuvend në Gjykatën Kushtetuese, janë falsifikuar.