Vendosni fjalën kyçe....

Olta Xhaçka: S’kemi ende projekt-rezolutë për konfliktin në Ukrainë


Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka duke folur në një deklaratë për mediet, tha se se ende nuk ka një projekt-rezolutë të draftuar për konfliktin ruso-ukrainas.

Xhaçka theksoi se Shqipëria si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB është gjithashtu në një bashkëpunim të ngushtë me SHBA.

“Nuk jemi ende në atë fazë, nuk ka ende projekt rezoluta të draftuara që pastaj të marrin miratimin apo përkrahjen e vendeve të tjera. Por jemi në fazën ku kemi dakordësuar një bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-të, ku do të jemi të dyja palët bashkëhartues. Duke thelluar një marrëdhënie strategjike, por në këtë rast duke i dhënë Shqipërisë gjithë prestigjin, për atë që është një vend konstruktiv që do të luajë një rol aktiv në Këshillin e Sigurimit.”- tha ministrja.

Xhaçka tha në përfundim të mbledhjes së sotme të qeverisë se është miratuar plani kombëtar për vitet 2022-2024.

Ajo tha se ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme përsa i përket planifikimit dhe monitorimit të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Këshilli i Ministrave miratoi sot Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (PKIE 2022 – 2024).

Ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme përsa i përket planifikimit dhe monitorimit të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Plani ka një objektiv të dyfishtë. Së pari, ai do të shërbejë si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo Marrëveshje.

Së dyti, ky plan, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Patjetër që ky është një vit vërtet i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, kur presim që Bashkimi Europian të gjejë rrugën për t’i tejkaluar ngërçet që e bënë të pamundur që Shqipëria të merrte hapjen e negociatave që i ishte premtuar gjatë vitit 2021.

Patjetër që ne si Shqipëri nga ana tjetër, kemi bërë e do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon të bëjmë e që kemi marrë përsipër për të çuar përpara europianizimin e vendit duke shpresuar që të njëjtën gjë do të bëjë edhe Bashkimi Europian.”– tha ministrja Xhaçka.