Nivelet e liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit kanë ardhur në rënie të vazhdueshme dhe më e ndjeshme ditëve të fundit kjo ka qenë në Fierzë.
Të dhënat zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se prodhimi nga këto HEC-e po mbështet furnizimin me energji në vend çka ka sjellë këtë ulje ndërkohë që prurjet natyrale të ujit mbeten të ulëta.
Kjo lidhet me faktin se temperaturat negative e bëjnë të pamundur shkrirjen e reshjeve të borës që kanë përfshirë zonat malore në vend.
Konkretisht sipas të dhënave të raportuara sot në datën 8 shkurt Hidrocentrali i Fierzës ka një nivel 267.8 metra ndërkohë që prurjet natyrale në të janë 120 m3/s.
Në HEC-in e Komanit niveli është 173.62 metra dhe prurjet natyrale janë 63 m3/s.
Vau i Dejës ka një nivel 73.84 metra dhe prurjet natyrale 10m3/s.
Prodhimi ditor i energjisë është mbi 12 mijë MWh ndërkohë që rezerva energjetike në kaskadë është 446 GWh me një rënie të ndjeshme në raport me një javë më parë. Të dhënat e KESH në 31 janar 2022 tregonin se rezerva ishte 521 GWh me një ulje mbi 14 për qind.
Aktualisht KESH është kompania publike që është ngarkuar plotësisht me furnizimin me energji të vendit në kushtet e emergjencës duke menaxhuar blerjen e tepricës që nuk sigurohet nga prodhimi vendas.
Kjo emergjencë është parashikuar të zgjasë deri më 15 prill ndërkohë që KESH po kërkon aktualisht qiramarrjen e burimeve termike të prodhimit të energjisë si një formë e diversifikimit dhe rritjes së sigurisë së furnizimit.
Çmimet e larta të energjisë në bursa dhe situate jo e favorshme hidrike e vitit të shkuar ekspozuan vendin ndaj shpenzimeve të larta për import të cilat kapën nivele rekord mbi 285 milionë euro.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor