Vendosni fjalën kyçe....

Agron Gjekmarkaj: Luan Hoti nuk është një kandidat emergjence, por kryetar bashkie për disa vjet, bëjini nder Durrësit duke e votuar


Nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj u bëri thirrje sot qytetarëve të Durrësit që të votojnë kandidatin e kësaj force politike për kryebashkiak, Luan Hotin.

Ai tha se Hoti nuk është një kryebashkiak emergjence për një vit, por se atij i takon të jetë për shumë vite për shkak të kontributeve të tij. Ai tha se qyteti bregdetar nuk mund të mbetet “peng” i realitetit, akullores e hajdutëve por duhet të kthehet në identitetin e tij.

“Ju ftoj sot ta mbështesim pa hezitim, kështu të shumtë siç jemi sot, kandidatin më të mirë që Partia Demokratike kishte për këtë qytet, zotin Luan Hoti, i cili nuk është një kandidat emergjence vetëm për një vit, por është kryetar bashkie për disa vjet. Jam i bidnur për këtë pasi ka shumë vlera, ka shumë kontribut për PD-në e për qytetin dhe jam i sigurt që qytetarët do ia shpërblejnë këtë kontribut dhe do ia njohin atë përmes votës dhe mbështetjes.

Meqenëse Durrësi është një qytet elitar, që ka universitet, që ka një botë intelektuale, iu bëj thirrje nga kjo tribunë sot që të mos kenë frikë. Natyrën e intelektualit e karakterizon kuraja dhe sensi kritik.

Ata duhet të rebelohen përballë shëmtisë dhe grabitjes që i bëhet qytetit. Ata duhet të mbështesin vlerat dhe qytetarinë. Ata duhet të mbështesin pa hezitim Luan Hotin, sepse kështu do të mbështesin veten, profesionin e tyre, fëmijët e tyre, të ardhmen e tyre. Ka nevojë të ngrihet Durrësi në vlerat që ka patur. Nuk mund të mbetet Durrësi peng i realitetit, nuk mund të mbetet peng i akullores. Nuk mund të mbetet peng i hajdutëve. Bëjani këtë nder Durrësit. Nxirreni nga kjo histori e shëmtuar e këtyre 15 viteve. Ka nevojë të kthehet në identitetin e tij. Mbështesni Luan Hotin, votojeni pa hezitim dhe qyteti ju kthehet ju, nuk vjen me ne në Tiranë.”– tha Gjekmarkaj.