Ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha po mbante një fjalim për gazetarët para se të futej në Prlament, pas tij vetëm pak metra më larg kaloi kreu i PD-së Lulzim Basha.
Berisha në këtë moment nuk i ka kursyer ironitë duke u shprehur se “Armiku më i rrezikshëm është ai që të rri pas shpine, prandaj rri përpara.”
Gjatë fjalës së tij, Berisha po fliste për shëmbjen e banesave në zonën e “5 Majit”, Laprakës, Kombinatit e Paskuqanit, banorët e të cilëve kanë protestuar për ditë me radhë.
“Të ftosh njerëzit, qytetarët në bisedime është një akt normal, t’u përplasësh tavolinën atyre me grusht është një arrogancë ekstreme të cilën e kanë aplikuar ndaj qytetarëve së pari pushtuesit dhe diktatorët.
Për të gjitha këto dënoj me ashpërsinë më të madhe, informoj se do merret nisma ligjore në Parlament për mbrojtjen e banesave të qytetarëve shqiptarë. Me praktikën që po ndjek kreu i Meduzës do të lërë pa banesa mijëra qytetarë shqiptarë. Midis atyre që iu prishën shtëpitë, janë qytetarë që kanë tapi prej vitesh, kanë lindur e janë bërë prindër aty. Të gjitha janë ndërtuar para vitit 2014.
Nuk jam për t’u penguar urbanizimi, nuk jam kundër ngritjes së qendrave dhe zhvillimit të territorit. Jam kundër shkatërrimit të pronave të qytetarit pa dëmshpërblimin në përputhje me vlerat e tregut.”– deklaroi Berisha.