Kreu i PD-së Basha ka paralajmëruar ministrin e Drejtësisë Manja se do vijë dita që ai të përballet me drejtësinë.
Gjatë fjalës së tij në Kvuvend, kryedemokrari i ka përmendur Manjas, ish-ministrin Tahiri e dënimin e tij duke theksuar se e njëjta gjë do e presë edhe atë lidhur me ‘Dosjen 184’ për zgjedhjet lokale në Dibër.
“Tani e kuptoj pse është e rëndësishme të mos i lëmë horrat e banditët që kanë sjellë bedelët e tyre në parlament që të festojnë një ditë kur Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të largohet dhe gjyqtarët e prokurorët, jo 50-60-% siç e lajmëron sot Ulsiu me Imerin, t’i emërojnë 100% këta. E kuptojmë edhe ankthin e tyre. Dibra është një krim i pagjykuar. Ky që i premtonte hajdutit të votave në Dibër në vitin2016, promovimin, është promovuar vetë duke u bërë ministër Drejtësie. Ia kam thënë edhe ambasadorëve. Ia kam thënë edhe ambasadorëve që duart po ia japin aleatëve të krimit. Ai që sot është ministër Drejtësie, minimalisht duhet të iste dënuar si pjesëmarrës në atë që zbardhi Bild-i dhe e pa gjithë bota po nuk e dënoi dot drejtësia shqiptare. Drejtësia mund të vonojë, por nuk mungon. Mendohu pak për kolegun tënd, ish-ministrin e Brendshëm, kapardisjen e tij në vend e rrugëve të botës. Mendohu mirë Ulsi Manja se për momentin të duket vetja i përkëdhelur, mbrojtur, se nuk do të vijë dita të japësh llogari edhe ti me pjesën tjetër të bandës së Dosjes 184.”