Vendosni fjalën kyçe....

“Do hetojmë çdo veprimtari e vendim të Fauci-t nëse fitojmë zgjedhjet afatmesme” – Senatori Republikan


Republikanët do e hetojnë Dr. Anthony Fauci, këshilltarin kryesor mjekësor të Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, nëse ata e marrin përsëri Senatin në zgjedhjet afatmesme dhe senatori republikan Rand Paul bëhet kryetar i Komitetit të Shëndetit të Senatit, tha ligjvënësi gjatë një interviste me prezantuesen e podkastit Lisa Boothe.

“Nëse fitojmë në nëntor, nëse unë jam kryetar i komitetit, do ndjekim çdo veprim të Faucit,” tha Paul. “Ne do të kemi një hetues që ta kalojë gjithë veprimtarinë e Faucit në sitë dhe pjesë-pjesë sepse nuk kemi nevojë që ajo që ka ndodhur deri tani të ndodhë përsëri,” u zotua Paul.

Senatori i Kentakit ka vazhduar të sfidojë Faucin gjatë gjithë pandemisë, veçanërisht në lidhje me dredhat e vazhdueshme të drejtorit të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Të dy kanë pasur një sërë përplasjesh. Një në korrik, mbi pretendimin e mëparshëm të Fauci se Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) nuk financoi kurrë kërkime në Institutin e Virologjisë Wuhan. Muajin e kaluar, pas një raundi tjetër me Faucin në një seancë dëgjimore në Senat, Paul iu referua Faucit si një ‘partizan demokrat’ i cili nuk e ndal misionin e tij.

Paul ka pretenduar në shumë raste se Fauci dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) dërguan fonde në një laborator virologjik në Wuhan, Kinë, që më pas krijoi një supervirus që mund të infektojë qelizat njerëzore. Ai e ka akuzuar Faucin mbi teorinë se Covid-19 u krijua në laboratorin e Wuhan-it dhe më pas doli jashtë ose për shkak të një aksidenti, ose sepse u lëshua qëllimisht.

Ndërsa origjina e virusit nuk dihet dhe është nën hetim, nuk ka ende prova të forta që sugjerojnë se ai u krijua në një laborator ose me ndihmën e financimit nga NIH dhe Fauci.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani