Ndërkombëtarët kanë përshëndetur votimin pro për zgjatjen e organeve të vettingut nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ambasada e BE-së e cilëson votimin si vendosmëri të fortë për të ecur përpara drejt anëtarësimit.
“Sot Parlamenti tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhme ne Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Mirëpres vendimin e rëndësishëm të marra nga Kuvendi për propozimet e PD për komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore , në përputhje me rekomandimet e OSBE, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani”, shkruan Soreca.
Ndërsa SHBA-të e cilësojnë një hap përpara drejt një sistemi drejtësie më të fortë.
“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vetingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit europian. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin gjithmonë Shqipërinë përgjatë kësaj rrugë të rëndësishme”-thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve.
Nga ndërkombëtarët kanë reaguar edhe nga OSBE në Shqipëri të cilët e cilësojnë përfundimin e reformës në drejtësi të një rëndësie kyçe si dhe ka përshëndetur ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut. Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë.
Po ashtu, përshëndesim ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”-shkruan Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Nga ambasadat reagoi edhe ajo gjermane dhe britanike të cilat mirëpritën vendimin e Kuvendit.
“Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”-shkruan Ambasadori Zingraf.
“Mirëpresim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur në zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut.
Votimi i sotëm është një angazhim i fortë drejt zbatimit të pricesit të reformës në drejtësi dhe një gjyqësori efikas dhe të pavarur”-thuhet në deklaratën e Ambasadës Britanike.