Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi flet për zgjatjen e afateve të Vettingut: LSI-ja e ka propozuar 3 vite më parë, të mos votohet nga frika e prokurorëve belgë apo ish-kolegëve që janë në burg


Në seancën e sotme plenare në Kuvend kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur për zgjatjen e organeve të Vetingut.

Ajo u shpreh se zgjatja e afateve të vettingut, është propozuar nga LSI që në vitin 2018, por asokohe sipas saj u refuzua me arrogancë nga maxhoranca.

Kryemadhi shtoi se ajo vetë do e votojë zgjatjen e afateve, sepse sipas saj Shqipëria ka nevojë për një drejtësi të re e të pavarur. Megjithatë nga ana tjetër u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos votojnë nga frika e ‘prokurorëve belgë apo kolegëve të tyre që ndodhen në burg’ sikurse shprehet ajo.

Lëkundja e PD-së sipas saj, po e bën të dyshojë se mund të ketë një tjetër marrëveshje si ajo e 17 majit.

“Jemi të vetëdijshëm se siç kanë ngritur zërin organizatat, me çështjen e monitorimit të kësaj reforme a po gjejnë qytetarët drejtësinë e vërtetë? Megjithatë me të gjithë artikulimet që ne kemi, ajo që dua të theksoj është që procesi i vettingut duhet të vazhdojë. Në shkurt të vitit 2018, grupi i LSI propozoi një paketë të tillë për shtyrjen e afateve të komisioneve të vettingut dhe zhbllokimin e situatës ku ndodhemi sot. Me arrogancë nuk u pranua. Sot pas tre viteve vijmë me propozimet që LSI i ka bërë kuvendit. Prezenca e LSI edhe pse modeste, ka marrë pjesë në mbledhjet e saj prej 4 muajve ku ka bërë një oponencë prej 18 faqeve. Më bën çudi që kolegët tanë demokratë në këtë komision nuk morën pjesë asnjëherë. Kjo më lë të dyshoj që ky vendim pro, për shtyrjet e afateve të këtij komisioni do i shërbejë drejtësisë apo 17 majit.

Si ndryshoi ky vendim brenda një nate, pa marrë asnjëherë në mbledhje. Si ndryshoi ky vendim i menjëhershëm pa qenë asnjëlloj konsultimi qoftë edhe me ekspertë. E dimë që vendimet politike janë të rëndësishme, por mendoj që politika ndonjëherë duhet të ketë logjikën e saj. Imoraliteti politik që kemi ndërtuar, po detyron shqiptarët të largohen. Nuk mund të presin shqiptarët kur shikojnë kur ne marrim vendimet para 10 min. A do të kemi vendime si të 17 majit? Apo do të kemi propozime që arrijnë në konsensus të plotë. Do të votoja pro, sepse mendoj që edhe pse grupet e komisionit të vettingut nuk janë në standardet e duhur. Mjafton të përmendim se çfarë kanë shkruar ndërkombëtarët në raportet e tyre. Edhe atë që kanë thënë zoti Fatmir Xhafaj, të bën përshtypje që ne kemi mekanizmat e duhur për të pasur në rolin e komisionerit SPAK-un.

Ne nuk dimë nëse vettingut i duhen 5 vite apo më shumë. I duhen staf apo buxhet. Pse nuk iu përgjigj qeveria? Ende s’kemi bërë analizë. Ajo që dua të theksoj është që i bëj thirrje se ku të votojmë në parlament të mos votojmë as nga frika e kolegëve apo ish kolegëve tanë që janë në burg, por për një drejtësi që kanë nevojë qytetarët tanë. E të mos përsërisim batutat e kinostudios Shqipëria e Re: ‘Gëlltit një lugë çorbë të prishur, më pas vjell gjithë jetën’.”– tha Kryemadhi.