Kreu i PD-së Basha ka vlerësuar ndihmën e ambasadores amerikane Kim e atë të BE-së Soreca për ndihmën e tyre për ngritjen e komisioneve të reformës territoriale e atë zgjedhore.
Ai theksoi se kryeministri Rama, presidenti Meta e Sali Berisha nuk donin që vetingu të vijonte duke bërë çmos për ta ndaluar.
Kryedemokrati tha se kryeministrit Rama nuk i intereson zgjatja e afateve të organeve të vetingut pasi donte t’ia kalonte atë KLGJ-së e KLP-së të cilat i kontrollon plotësisht.
“Ne sot me ndihmën e partnerëve SHBA, BE, ambasadorët Kim e Soreca në veçanti, sepse nuk ka qenë vullneti politik i PS-së që sot të votohen reformat zgjedhore e territoriale. Reforma territoriale, një aspiratë e cdo shqiptari, dhe reforma zgjedhore që vendit t’i kthehet vota e lirë. Nuk jemi tërhequr, vetingu i politikanëve, reforma zgjedhore dhe gjithçka e dokumentuar nga PD-ja janë dhe mbeten prioritetet kryesore.” – u shpreh Basha.
Ai shtoi se PD-ja do i japë një shans drejtësisë të ngrihet e të arrestojë çdo qytetar që shkel ligjin duke e nisur nga ata me pushtet.