Vendosni fjalën kyçe....

Pritet votë pro zgjatjes së vetingut, Basha: PD ka qenë prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi


PD e drejtuar nga Basha pritet të votojë pro propozimi të PS-së dhe ambasadave për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut.

Në takimin me grupin parlamentar, Basha mësohet të ketë thënë se prioriteti i PD-së është reforma territoriale.

“Sot nisim punën për dy reforma të rëndësishme dhe që janë prioritet për Shqipërinë e demokracinë, prioritete për PD, reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, të konsultohemi me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, në mënyrë që të ndërtojmë mekanizmat e duhur për të garantuar që vullneti i zgjedhësve të mos deformohet, si ka ndodhur deri më sot, nga shitblerja e votës, bashkëpunimi me krimin dhe përdorimi administratës dhe fondeve publike. Prioritet i yni është reforma territoriale.” – mësohet të ketë thënë Basha në takim, shkruan Shqiptarja.

Më tej Basha ka theksuar se PD ka qenë që në fillim mbështetëse e reformës në drejtësi duke shtuar se ndërhyrjet e PS-së për ta vënë në shërbim të saj këtë reformë e kanë dëmtuar atë.

“Grupi i punës së bashku me deputetët do të nisin një tur konsultimesh në të gjithë vendin, për një ndarje të drejtë administrative, për të  fuqizuar pushtetin vendor dhe  për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë.PD ka qenë që prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi. Natyrisht ndërhyrjet e  mazhorancës për ta vënë në shërbim të saj e kanë dëmtuar atë dhe pasojat po i shohim dhe sot. Pa një drejtësi të fortë, të pastër dhe të pavarur Shqipëria nuk do te këtë progres ekonomik dhe as në rrugën drejt integrimit.” – ka shtuar Basha.