Vendosni fjalën kyçe....

“Sikur vjen nga bota e përtejme” – Përplasje të forta mes Berishës e Manjës në Parlament


Është shoqëruar me përplasje seanca e sotme në Kuvend mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Në një fjalim në foltore, ministri Manja sqaroi arsyet pse duhet votuar zgjatja e afateve të organeve të Vettingut sipas tij.

Manja tha se për vettingun nuk ka më kthim pas, pasi sipas tij jemi në fund të këtij procesi, pavarësisht vonesave që ka paraqitur ky proces.

Pas Manjës, fjalën e mori ish-kryeministri Sali Berisha i cili u përplas me ministrin për Dibrën.

Ai iu drejtua Manjës me një pyetje.

“Pse mbahet sekret vettingu i Sokol Sadushit, i Ervin Pukës, Ilir Pandës? Mbi c’ligj, c’bazë, përvec shpellave të mafies, ndodh kjo? Cili është roli jot, thuaje këtu, në denatyralizimin e Dibrës në hidrocentralin e Skavicës? A ndjen ti përgjegjësi për shuarjen nga faqja e dheut të të gjithë tokave pjellore të rrethit të Dibrës? Cfarë kompromisi ke bërë ti me Edi Ramën për të denatyruar totalisht Dibrën? Ju bëj thirrje dibranëve të ngrihen fuqishëm.”– tha Berisha.

Kësaj deklarate të Berishës, Manja iu përgjigj duke i thënë se kur dëgjon Berishën të flasë për këtë çështje i duket sikur po dëgjon një njeri të flasë nga bota e përtejme.

 “Kërkon llogari e hesap për Dibrën më duke si një zi i vjetër që vjen nga bota e përtejme por jam gjeneratë tjetër nuk replikoj. Dibranët janë në hallin e punën e tyre. Me 6 mars do flasin vetë. Aty e kanë fjalën të zgjedhin më të mirën për Dibrën dhe nuk repolikoj për botën e vjetër.”– tha Manja.

Berisha kërkoi përsëri fjalën për replikë, por kryeparlamentarja Lindita Nikolla nuk ia dha më fjalën.