Vendosni fjalën kyçe....

Vajza e kandidatit Luan Hoti: Durrësi meriton të drejtohet nga njerëz të mirë si ai, do u shërbejë njësoj të gjithë qytetarëve pa ndasi politike


Në takimin që po mbahet sot në Pallatin e Kulturës në Durrës, për kandidatin e PD-së për kryetar bashkie Luan Hotin, foli pak fjalë edhe e bija e tij, Stela.

Vajza e kandidatit për kryebashkiak tha se ishte lumturuar kur PD i besoi atij këtë garë, por gjithashtu shprehu trishtim sepse do të kalojë më pak kohë me të, ndërsa ai kujdeset për qytetin.

Stela Hoti u shpreh se babai i saj do t’i shërbejë njëlloj të gjithë qytetarëve, pa dallime politike dhe se Durrësi meriton të drejtohet nga njerëz të mirë, profesionistë dhe të ndershëm si ai.

“Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Stela, vajza e Luanit.

Jam shumë e emocionuar sot sepse e kam shumë të vështirë të flas për babain tim Luanin. Kush e njeh babain tim ka vetëm fjalë të mira për të, por unë dua që ta njohin të gjithë durrsakët për atë që ai përfaqëson në të vërtetë.

Babai im është një njeri i mirë, profesionist i zoti, një shembull për t’u ndjekur. Gjithmonë kam  dashur të bëhem si ai.

Unë, nëna, dhe vëllai im në momentin që Partia Demokratike vendosi ta kandidojë babain tim u lumturuam sepse babai im është zgjedhja më e mirë për qytetin e Durrësit por dhe u trishtuam sepse e dimë që pas 6 marsit do na kushtojë më pak kohë.

Babai im është një prind i mrekullueshëm, shok dhe mik shumë i mirë.

Tani që po studioj juridik, e vlerësoj më mirë babain tim si profesionist. Luani është një njeri besnik që do u shërbejë njësoj të gjithë qytetarëve të Durrësit, pa ndasi politike. Kjo eshte diçka që e kam kuptuar që kur isha më e vogël. Dhe është mënyra me të cilën ai na ka edukuar. T’i pranojmë, duam dhe ndihmojmë njerëzit pa asnjë ndasi partiake.

Duke ardhur nga biznesi, babai im Luan ka eksperiencën e nevojshme dhe ndershmërinë për të kthyer drejtimin e bashkisë në shërbim të qytetarëve.

Si çdo vajze kam shumë për të thënë për babain tim, ndoshta s’është as vendi por kam besimin e plotë që qytetarët durrsakë do ta bëjnë diferencën.

Me qytetarinë dhe vendosmërinë tuaj do merrni vendimin e duhur dhe do ta votoni Luan Hotin!

Sepse Durrësi meriton të drejtohet nga njerëz të mirë, profesionistë dhe të ndershëm. Për t’i ndërruar faqen qytetit tonë të dashur dhe për ta rikthyer atë në krenarinë tonë!”- u shpreh vajza e kandidatit për kryetar bashkie në Durrës.