Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja paraqet planin për rivalizuar Kinën në Afrikë, projekte me vlerë 150 miliardë euro

BE planifikon të investojë 150 miliardë euro në zhvillimin e Afrikës, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, të enjten. Njoftimi erdhi përpara samitit të ardhshëm midis BE-së dhe Bashkimit Afrikan javën e ardhshme.

“Investimet do të jenë në qendër të diskutimeve gjatë samitit, sepse ato janë mjetet e ambicieve tona të përbashkëta. Në këtë fushë Evropa është partneri më i besueshëm për Afrikën dhe deri tani më i rëndësishmi”, tha von der Leyen.

Propozimi është plani i parë rajonal në kuadër të skemës së investimeve Global Gateway të Bashkimit Evropian prej 300 miliardë eurosh, e cila synon të zhvillojë infrastrukturën publike dhe private në mbarë globin nga tani deri në vitin 2027.

Financimi thuhet se do të vijë nga investimet e sektorit privat, si dhe një sërë organesh financuese të BE-së dhe shteteve anëtare. Megjithatë, asnjë informacion i mëtejshëm se si saktësisht do të mblidhen apo shpenzohen paratë nuk është zbuluar deri më tani.

Skema e BE-së shihet si një përgjigje ndaj iniciativës së Kinës ‘Belt and Road’ (BRI), një program global infrastrukturor i nisur në vitin 2013.

Gjatë dekadës së fundit, Kina ka investuar miliarda në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave dhe porteve në mbarë botën me qëllim që të vendosë lidhjet e reja tregtare dhe diplomatike.

Që nga dhjetori 2021, 145 vende ishin futur në nismën e Kinës, kryesisht në Azi dhe Afrikën Sub-Sahariane. BE-ja ka kritikuar planin e Pekinit për lënien e dyshuar të vendeve që janë pjesë e nismës me borxhe të mëdha.

Ndërkohë, von der Leyen kohët e fundit e quajti planin e infrastrukturës globale të BE-së një ‘alternativë të vërtetë’ ndaj Kinës, me një qëllim për të ‘krijuar lidhje të forta dhe të qëndrueshme, jo varësi, midis Evropës dhe botës’.