Në mbledhjen e sotme në komisionin hetimor për inceneratorët, deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi deputeten socialiste Ermonela Felajn se është në konflikt interesi, pasi ka qenë e përfshirë në vendimmarrje, në rastin e inceneratorit të Tiranës.
Akuza të cilat Felaj, e cila është njëkohësisht nënkryetarja e këtij Komisioni, i refuzoi. Felaj e akuzoi kryetaren e Komisionit Jorida Tabaku se po bën rolin e prokurores.
DEBATI:
Jorida Tabaku: Dua t’i kërkoj të pranishmëve këtu nëse ndonjëri nga të pranishmit e opozitës ose të maxhorancës ka konflikt interesi në çështjen e inceneratorit të Tiranës? Në qoftë se dikush nga të pranishmit këtu ka një konflikt interesi, është përfshirë në vendimmarrje për inceneratorin e Tiranës unë do t’i kërkoj që të mos marrë pjesë në diskutime ashtu siç e kërkon ligji për konfliktin e interesit. T’i deklarojmë konfliktet e interesit që në fillim të mbledhjes.
Ermonela Felaj: Nuk e di çfarë kuptoni ju me konflikt interesi në fakt?
Jorida Tabaku: A jeni përfshirë në vendimmarrje ju?
Ermonela Felaj: Në rastin konkret, se ju jeni kallëzuese dhe po hetoni. Dini ndonjë rast ku ai që kallëzon edhe heton edhe jep vendimin e dënimit? Ma thoni! Nëse nuk është ky konflikt interesi, atëherë gjejeni tjetër kund.
Jorida Tabaku: Konflikti i interesit është a ka ndonjëri nga ne të përfshirë në vendimmarrjen e inceneratorit të Tiranës?
Ermonela Felaj: Përpara se të ma drejtosh mua këtë pyetje duhet t’ia drejtoni vetes sepse keni bërë kallëzim për këtë çështje. Kështu që konflikti i interesit në këtë çast ashtu siç e kuptoni ju nuk ekziston.
Jorida Tabaku: Sjell edhe një herë në vëmendje konfliktin e interesit një shkresë të znj. Ermonela Felaj të përfshirë në procedurën e koncesionit të Tiranës që ka qenë miratuese e një prej fazave. Për këtë arsye dua që të jemi të gjithë të qartë që askush nuk ka pasur vendimmarrje në inceneratorin e Tiranës. Është një lloj konflikti tjetër interesi nga ai i kallëzuesit. Ne nuk kemi qenë palë në procesin e miratimit dhe dhënies me koncesion. Dhe ky është një shqetësim i drejtë. Kush është jurist besoj se duhet ta kuptojë më mirë se në që jemi thjesht ligjvënës dhe nuk jemi profesion jurist dhe besoj se është një kërkesë e drejtë sipas ligjit.
Jorida Tabaku: Ju gjykoni se jeni në rregull?
Ermonela Felaj: (heshtje)
Jorida Tabaku: Ok!