Vendosni fjalën kyçe....

Luan Hoti takohet me qytetarët në Durrës, u shpalos programin e tij për bashkinë (FOTO)


Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit Luan Hoti ka zhvilluar sot disa takime me qytetarët, të cilëve u ka shpjeguar pikat e programit të tij.

“Takova qytetarë të Durrësit që e mbështesin programin që shpalosëm për ndryshimin e mënyrës si drejtohet Bashkia Durrës.

Qytetarët dëshirojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes. Bashkë për Durrësin!”- shkruan Hoti ndërsa ndan disa foto nga takimet me qytetarët.

Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, Hoti ka prezantuar programin e tij për drejtimin e bashkisë së Durrësit gjatë një eventi të organizuar në Pallatin e Kulturës.

Gjatë fjalës së tij, Hoti tha se në 20 vitet e fundit Durrësi është administruar në formën më të keqe të mundshme dhe se qëllimi i tij është që ta kthejë bashkinë dhe administratën lokale në funksion të qytetarit.

Hoti përmendi disa nga pikat ku ai synon të sjellë ndryshime në këtë qytet: Duke përmirësuar situatën e trafikut dhe atë të transportit urban, duke u fokusuar në pastrimin e qytetit.

Ai theksoi gjithashtu se “brenda 100 ditëve nga marrja e detyrës”, Bashkia do të fillojë një konsultim masiv publik me të gjitha kategoritë e bizneseve, duke filluar nga shitësit ambulantë e deri tek bizneset e mëdha me qëllim krijimin e një pakete fiskale, e cila të jetë në përputhje jo vetëm me nevojat e Bashkisë por edhe në përputhje me shërbimet që përftohen nga biznesi dhe kapacitetet financiare të këtij të fundit.

Hoti premtoi gjithashtu se do vijojë me programet e dëmshpërblimit të qytetarëve për tërmetin, të cilat do përfundohen “brenda 200 ditëve“.