Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare profesori i njohur francez, Luc Montagnier


Luc Montagnier, virologu i njohur francez i vlerësuar si bashkëzbulues i virusit HIV, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.

Montagnier u nderua bashkërisht me Çmimin Nobel 2008 për punën e tij në izolimin e virusit që shkakton AIDS. Faqja lokale e lajmeve FranceSoir raportoi se ai vdiq të martën në Neuilly-sur-Seine ‘i rrethuar nga fëmijët e tij’.

Virologu fillimisht filloi të punojë me virusin në fillim të viteve 1980, ndërsa ishte në Institutin Pasteur të Francës, një fondacion kërkimor jofitimprurës.

Ata arritën të izolojnë HIV-in në nyjen limfatike të një pacienti me SIDA dhe publikuan lajmin e zbulimit në revistën Science në 1983.

Profesori i njohur ishte një ndër kritikët e ashpër të masave të marra nga qeveritë në mbarë globin lidhur me pandeminë Covid-19.

Ai bëri thirrje që qytetarët të mos vaksinoheshin duke theksuar se Covid-19 mund të mposhtej me higjienën e duhur, me ushqimet e duhura si dhe me mjekimet tashmë ekzistuese.

I lindur në vitin 1932 në qytetin francez të Chabris, Montagnier filloi të punojë në Fakultetin e Shkencave të Parisit në 1955.

Ai u transferua në Institutin Pasteur në 1972.

Mediat franceze raportuan fillimisht se ai kishte vdekur në spitalin amerikan në Neuilly-sur-Seine më 8 shkurt. Autoritetet lokale më vonë konfirmuan zyrtarisht vdekjen e tij.