Pas ‘Karvanit të Lirisë’ në Kanada, një lëvizje e ngjashme ka nisur edhe në Francë e pritet të shpërndahet edhe në vende të tjera europiane.
Qeveria pritet të vendosë mijëra forca policie dhe mjete të blinduara në Paris dhe përreth tij gjatë fundjavës për t’u përballur me dyndjen e kamionëve dhe mjeteve të tjera që pritet të vijnë në kryeqytet.
Po kështu policia ka ngritur pika të shumta kontrolli për t’i mbajtur jashtë Parisit kamionistët.
Pavarësisht një urdhri për të mos u futur në kryeqytet, kamionistë nga e gjitha Franca që protestojnë kundër pasaportave të vaksinave e kufizimeve të tjera Covid-19 janë drejtuar drejt Parisit të frymëzuar nga lëvizja e parë e llojit të saj e nisur në Kanada.
‘Karvani i Lirisë’ në Francë ka grumbulluar rreth vetes edhe grupe të tjera që janë kundër politikave të presidentit Macron përtej pandemisë siç janë ‘Jelekët e Verdhë’ të cilët kanë zhvilluar protesta për muaj me radhë në vitet 2018-2019.
Protesta e shoferëve pason valët e demonstratave mbi rregullat e lejes së vaksinës në Francë, të cilat kërkojnë që njerëzit të tregojnë prova të vaksinimit kundër Covid për të hyrë në bare, restorante, kinema dhe hapësira të tjera publike.