Në mbledhjen e sotme, Komisioni hetimor për inceneratorët po shqyrton dokumentacionin lidhur me impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Tiranës.
Kryetarja e këtij komisioni Jorida Tabaku paralajmëroi se do të ketë një padi për personat dhe institucionet që nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me hetimet.
Mes drejtuesve të institucioneve që nuk kanë kthyer përgjigje, përmendim kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ministret Belinda Balluku, Mirela Kumbaro, Delina Ibrahimaj, Sekretarin e Kryeministrisë Ëngjëll Agaçin e të tjerë.
“Një javë më parë pasi u mbajtën dy javë nga sekretarja e komisionit, janë nisur disa shkresa me datën 04.02.2022 për; kryetarin të Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj, ministres së Mjedisit znj.Mirela Kumbaro, ministres së Infrastrukturës znj. Belinda Balluku, ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave z.Engjell Agaçi, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit znj. Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve z.Ceno Klosi, drejtore e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit znj. Pranvera Fagu, z.Arben Shehu kryetar i KLSH-së, znj.Brunilda Lilo avokate e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit dhe znj.Ledia Tota drejtor e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Dua të njoftoj komisionin se sot 7 ditë pasi janë nisur, 5 ditë punë dhe 7 ditë kalendarike nuk kemi përgjigje. Do t’i kërkoja ekspertëve të komisionit dhe specialistëve të komisionit të ngrejnë një padi për këdo që nuk kthejnë një përgjigje brenda kohës.
Rruga e butë ka përfunduar në këtë komision. Ju lutem për këdo që nuk ka kthyer përgjigje brenda ditës të bëjë një padi për këto persona. Shumë e rëndësishme përgjigja e drejtorisë së Tatimeve, e theksoj. Një pjesë tjetër se një pjesë tjetër edhe mund t’i kemi këtu si dëshmitar në komision.”– u shpreh Tabaku.