Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina ngre alarmin: Rusia na ka bllokuar daljen në det


Ukraina ka akuzuar Rusinë se po bllokon hyrjen e saj në det, ndërsa Rusia përgatitet për stërvitjet detare javën e ardhshme.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Deti Azov ishte plotësisht i bllokuar dhe Deti i Zi pothuajse plotësisht i prerë nga forcat ruse, shkruan BBC.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në kufi.

Por Rusia sapo ka filluar stërvitjet masive ushtarake me Bjellorusinë fqinje. Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe ka një kufi të gjatë me Ukrainën.

Franca i quajti këto stërvitjet një “gjest i dhunshëm”. Ato besohet të jenë dislokimi më i madh i Rusisë në Bjellorusi që nga Lufta e Ftohtë. Ukraina thotë se ato përbëjnë “presion psikologjik”.

Shtetet e Bashkuara të enjten u bënë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë për shkak të “kërcënimeve të shtuara të veprimit ushtarak rus”.

Stërvitjet detare të Rusisë do të zhvillohen javën e ardhshme në dy detet në jug të Ukrainës, Detin e Zi dhe Detin Azov. Rusia ka lëshuar paralajmërime bregdetare duke përmendur se po bën stërvitje për gjuajtje me raketa dhe armë zjarri.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se “zona e paprecedentë ku do të kryhen manovrat e bën lundrimin në të dy detet praktikisht të pamundur” dhe Ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov shkroi në “Twitter” se ujërat ndërkombëtare të dy deteve ishin bllokuar nga Rusia.