Një gazetar është qëlluar për vdekje në Meksikë këtë të enjte, i pesti i vrarë për këtë vit në këtë vend.
Viktima ishte Heber López, drejtor i faqes së lajmeve në internet “Noticias Web”.
Zyra e prokurorit të shtetit Oaxaca ku ndodhi ngjarja, tha se dy të dyshuar për vrasjen ishin marrë në paraburgim dhe atyre u ishte gjetur një armë.
Një mik i viktimës, Rodolfo Canseco Gutiérrez, drejtor i faqes së lajmeve në internet “RCP Noticias” tha se miku i tij mbulonte lajmet e krimit dhe policisë.
Dëshmitarët thanë se rreth orës 18:30 të së enjtes, López ishte në zyrën e tij kur një automjet i bardhë me dy burra iu ndal përpara. Një burrë doli, hyri në zyrë dhe qëlloi López-in.
Canseco Gutiérrez tha se sapo kishte ngrënë mëngjes me López të mërkurën. Ai tha se shoku i tij nuk i kishte thënë kurrë se kishte marrë kërcënime, por ai nuk dyshonte se vrasja kishte të bënte me punën e tij, shkruan Washington Post.
Gutiérrez kujtoi se në qershor të vitit të kaluar, gazetari tjetër Gustavo Sánchez Cabrera u vra nga persona të armatosur vetëm rreth 20 minuta larg Salina Cruz.
Vrasja e López pason atë të katër gazetarëve të tjerë në janar.
Më 31 janar, Roberto Toledo, u qëllua ndërsa përgatitej për një intervistë në Zitacuaro, Michoacan.
Në qytetin kufitar të Tijuana, fotografi Margarito Martínez u qëllua jashtë shtëpisë së tij më 17 janar. Më 23 janar, gazetarja Lourdes Maldonado López u gjet e qëlluar për vdekje brenda makinës së saj gjithashtu në Tijuana.
Gazetari José Luis Gamboa u vra në shtetin bregdetar të Gjirit Veracruz më 10 janar.
Jan-Albert Hootsen, përfaqësuesi i Meksikës i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, tha: “Gjashtë javët e para të vitit 2022 kanë qenë më vdekjeprurësit për shtypin meksikan në më shumë se një dekadë”.