Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk mendon se një pushtim rus i vendit të tij ka të ngjarë të ndodhë në ardhmen e afërt dhe i ka thënë presidentit amerikan Joe Biden se paralajmërimet amerikane për një sulm po destabilizojnë ekonominë, sipas një raporti në The Wall Street Journal.
E përditshmja e Nju Jorkut shkroi tbnë mesjavë se zyrtarët e Uashingtonit kanë pohuar se gjatë një bisede telefonike të fundit midis dy liderëve, kur Biden paralajmëroi se SHBA besonin se kërcënimi i një pushtimi rus ishte rritur, Zelensky u përgjigj se kishte pasur një kërcënim të tillë që nga viti 2014.
Biden thuhet se u përgjigj se prania e ushtarëve rusë në Bjellorusi, ku ata janë dërguar për stërvitje të përbashkëta ushtarake, mund të rrisë mundësinë e agresionit.
Sipas burimeve të gazetës, presidenti ukrainas vazhdon të dyshojë për gjasat e një pushtimi të afërt dhe ka shprehur frikën se rryma e paralajmërimeve amerikane për agresionin rus kanë ndihmuar në destabilizimin e Ukrainës, politikisht dhe ekonomikisht.
Raporti citon gjithashtu zyrtarë të lartë ukrainas të thonë se ata ishin veçanërisht të mërzitur me vendimin e fundit të Uashingtonit për të evakuuar familjet e diplomatëve dhe stafin jothelbësor nga ambasada e tij në Kiev, sepse kjo të jepte përshtypjen se qyteti kishte të ngjarë të pushtohej së shpejti.