Vendosni fjalën kyçe....

Berisha prezanton kandidatin në Shkodër: Basha e dorëzoi qytetin në 2019-ën, më 6 mars festa e ‘Shtëpisë së Lirisë’


Ish-kryeministri Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit Shtëpia e Lirisë për Shkodrën, Bardh Spahia.

Ai tha gjatë fjalës së tij se në 30 vite Shkodra nuk ka gabuar kurrë duke akuzuar kreun e PD-së Basha se e dorëzoi atë në vitin 2019.

Berisha theksoi se zgjedhjet e 6 marsit zhvillohen teksa vendi drejtohet nga një qeveri e lidhur me krimin, drogën, vjedhjen e korrupsionin.

Ish-kryeministri u shpreh i bindur se në zgjedhjet e 6 marsit qytetarët do votojnë për Bardh Spahinë.

“Në këto 30 vite Shkodra nuk gaboi. Edhe kur gaboi PD, qyteti qëndroi në anën e drejtë që duhet të qëndronte. Në këto 30 vite, kur Lulzim Brava e dorëzoi në 2019 Shkodrën, e mbajti Voltana Ademi dhe qëndroi e pamposhtur. Detyrimet tona ndaj jush janë të pakufijshme, ndaj dhe ju ftoj që të vazhdojmë këtë udhëtim së bashku në një moment kritik. E vërteta është ndofta në momentin më kritik të këtyre 30 viteve, sepse sot këto zgjedhje nuk zhvillohen njëlloj siç duhet të zhvilloheshin ku opozita përballej me qeverinë. Këto zgjedhje zhvillohen sot në një qeveri e cila bazohet tërësisht mbi krimin, drogën, vjedhjen dhe korrupsionin. Mbi një qeveri e cila duke shkelur çdo parim demokratik, merr peng pluralizimin dhe mendon se në këtë mënyrë do të zgjatë jetën e regjimit. Bardh Spahia mishëron vlerat më të mira të mëkuara nga ky qyteti bekuar, mishëron trashëgiminë e shkëlqyer të familjes dhe të atit të tij që ishte një intelektual vigan dhe i pamposhtur. I bënte nder Shkodrës, Shqipërisë dhe kombit me karakterin e tij, me dijenitë e tij, me qëndrimet e tij. Kam bindjen se 6 marsi do të jetë festa e fitores së Shtëpisë së Lirisë, e fitores së Bardh Spahisë, e fitores së çdo qytetari, të çdo banori qytetar i Shkodrës dhe çdo banori të këtij rrethi.” – tha Berisha.