Kandidati i PD-së për Shkodrën Xhemal Bushati ka deklaruar sot gjatë një takimi me qytetarët se do punojë për qytetin.
Ai theksoi se është njeri i punës dhe pavarësisht se ka mbështetjen e PD-së, kërkon mbështetjen e të gjithë qytetarëve për t’iu shërbyer atyre.
Bushati shtoi më tej se fillimisht do ketë një plan emergjent për Shkodrën ndërsa më pas ai do pasohet nga një program strategjik, afatgjatë për t’ia ndryshuar pamjen Shkodrës.
“Mendimet e mia, punën time nesër në menaxhimin e qytetit ta ndajmë së bashku me mendimet dhe problematikat që ju shihni. Do isha i nderuar në qoftë se ju do më mbështesni jo vetëm për votën por për punën tonë të përbashkët. Unë do të punoj për qytetin tonë, për bashkinë e Shkodrës me gjithë njësitë administrative dhe mendimi juaj do të ishte shumë i vlefshëm për mua. Do jem menaxheri i qytetit, jam njeri i punës, unë kam mbështetjen e PD por kërkoj mbështetjen e gjithë qytetarëve të Shkodrës për t’iu shërbyer atyre. Do punoj fort për qytetin dhe do ju kthej dinjitetin. Kandidimin e kam marrë jo për vete por për qytetin. Do kem një program emergjent dhe më pas një program strategjik afatgjatë. Nuk do merrem me politikë të madhe por me qytetin tim.” – tha Bushati gjatë takimit.