Vendosni fjalën kyçe....

Policia franceze bllokon qindra kamionë të ‘Karvanit të Lirisë’ që shkonte për në Paris (Video)


Policia franceze thotë se ka kapur rreth 500 automjete që përpiqeshin të hynin në Paris si pjesë e ‘Kravani të Lirisë’, një protestë kundër pasaportave të vaksinave e kufizimeve të tjera Covid.

Disa grupe protestuesish që morën shkas nga kamionistët kanadezë u ndaluan në tre pika kontrolli jashtë kryeqytetit francez. Autoritetet lëshuan pothuajse 300 gjoba për pjesëmarrësit.

Përpara protestës së planifikuar, policia vendosi mijëra oficerë, mjete ujëhedhëse dhe për herë të parë që nga protestat e ‘Jelekëve të Verdhë’ në fund të 2018, mjete të blinduara për transportimin e policisë.

Qeveria lëshoi një urdhër që ndalon protestat në Paris për shkak të frikës se demonstrata mund të çojnë në ‘çrregullime të rendit publik’. Gjykatat mbajtën anën e autoriteteve, duke hedhur poshtë dy kërkesa për protestë.

Shefi i policisë së Parisit Didier Lallement tha se autoritetet kishin në dispozicion dhjetëra kamionë tërheqës që do të ndihmonin ‘t’i jepnin fund çdo bllokimi’.

Duke folur për ‘France 2 TV’ të premten, kryeministri Jean Castex paralajmëroi se qeveria franceze do ishte ‘shumë e vendosur’ nëse protestuesit ‘do bllokojnë trafikun ose nëse përpiqen të bllokojnë kryeqytetin’.

Castex shtoi se ndërsa ‘e drejta për të demonstruar dhe për të pasur një mendim ndryshe është një e drejtë e garantuar me kushtetutë në republikën tonë dhe në demokracinë tonë’, kjo e drejtë nuk zbatohet për bllokimin e trafikut.

Protestuesit këmbëngulin se nuk kishin ndërmend të pengonin rrugët dhe thjesht po planifikonin t’i bashkoheshin protestës të së shtunës.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani