Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Dibra nuk mund të përmbytet, i deleguari i Ramës të vijë dhe të japë llogari për Skavicën


Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e Shtëpisë së Lirisë për Dibrën, Premtim Kryemadhin.

Berisha e vlerësoi Kryemadhin si një atdhetar të flaktë ndërsa theksoi se përballja në këto zgjedhje do të jetë e fortë.

“Kam nderin që do paraqes para jush demokratin e përkushtuar, Premtim Kryemadhin. I cili mishëron, ndershmërinë dhe dashurinë e pakufishme për ju dhe Dibrën e si atdhetar i flaktë, edhe për vendin.

Të dashur miq në këto zgjedhje përballja është e madhe. Në të vertëtë përballet e shkuara, përballet shteti i bazuar në mafien dhe drogën, përballet narkoshteti që nuk njef dhe nuk respekton votën, perballet narkoshteti që zevendëson votën me tritol si rasti i FSHF-së.”- tha Berisha.

Mes të tjerash gjatë fjalës së tij, Berisha foli edhe për projektin e qeverisë për hidrocentralin e Skavicës. Ai tha se kandidati i Ramës për Dibrën duhet të dalë para dibranëve dhe të japë llogari për Skavicën.

“E dëgjoni atë që thotë jam Kolekë, edhe pse është nga Mbreshtani i Beratit. Por e ka psikologjinë e etërve të tyre.

 Pa pyetur dibranët, vendos të përmbysë tokat më pjellore. Të zhvendosë qindra fshatra, shkolla, kopshte, xhami, teqe etj.

Ajo nuk mund të ndodhë kurrë. Që të përmbytet Dibra nuk mund të ndodhë kurrë.

Në vitin 2005, Fatos Nano kishte firmosur me një kompani të madh italiane, ndërtuesen më të madhe të HEC-eve në Itali, kontratën për Skavicën.

Erdhi kompania dhe i thashë nuk e pranoj. Sepse e para e ke marrë pa tender, dhe e dyta nuk pranoj përmbytjen e tokave të Dibrës.

Italiani ishte serioz, sepse edhe pse kishte nënshkruar kontratën me kryeministrin, kishte shkuar dhe në parlament dhe më tha ke të drejtë. Bëri një projekt tjetër, me deviacion, pasi me anë të një tuneli e nxirrte Drinin në afërsi të Bicajve. Ai nuk e realizoi dot këtë projekt për arsye të tija.

Është e vërtetë se diga e madhe bëhet rregullator për Fierzën, që ka më shumë energji.

Sot jemi në kohën e energjisë solare, të erërave, pra ka burime të tjera. Hajde të zhvillojmë energji të tjera dhe të mos përmbysim Dibrën.

Ai i deleguari i Ramës që ju ka sjellë këtu nga Tirana, të dalë para jush dhe të japë llogari për Skavicën dhe projektin e tij që ka për Dibrën.”– tha Berisha.