Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët në Bilisht: Jemi të vdekur, po presim të na varrosin, mezi mbajmë familjet me bukë


Mëngjesin e sotëm, fermerët e Devollit e Bilishtit kanë protestuar për prodhimet e pashitura, rritjen e çmimit të naftës, rritjen e çmimit të plehrave kimike dhe të shtimit në tërësi të kostove të tyre.

Në një protestë që zgjati përreth një ore, fermerët në mënyrë simbolike vendosën të qëndronin në anë të rrugës, ku rreshtuan edhe mjetet e tyre të punës.

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari ka publikuar një fotografi nga protesta, duke thënë se fermerët po i shkatërron qeveria. Ai akuzoi qeverinë se po e përdor bujqësinë në funksion të pastrimit të parave dhe oligarkëve.

“Fermeret e Devollit po perballen me kushte shume te veshtira per shkak te mungeses se mbeshtetjes nga qeveria.

Zona me prodhuese e vendit sot perballet me falimentimin.

Rilindja mashtroi fermerin vendas me rimbursimin e karburantit, skeme te cilen e perdoren si mjet presioni ne fushate per te tjetersuar vullnetin e votes se fermerit.”– shkruan Braimllari.

Njeri prej fermerëve tha se e vetmja gjë që i ka mbetur është të varroset. Sipas tij, fermerët mezi po i mbajnë familjet me bukë.

 “Po protestojmë për çmimin e naftës, të plehrave, mosshitja e produkteve bujqësore. Deri në këto momente që flasim, nuk ke i hedhur fare nitrat, gruri duhet trajtuar. Leku i djemve tanë në emigrim për 30 vjet për të bërë Shqipërinë, sot të gjitha këto po shkatërrohet. Një popull i vdekur që sot ne presim ta na varrosin. Shteti as nuk e di që ka njerëz në Devoll, apo në të gjithë Shqipërinë. Jemi të vdekur, po presim të na varrosin, po mbijetojmë me fasule, bukë dhe patate. Po mbijetojmë. Kemi tonelata me mall të pashitura.”- tha ai.

Një tjetër u shpreh: “Ne nuk mbajmë do familjen me bukë. Sepse ne nuk duam të pasurohemi, nuk do të pasurohen fermerët.”