Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku në konferencën e sotme për mediet, ka deklaruar se të hënën do të merren në pyetje 3 administatorët e inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe të Fierit.
“Dëshmitarët e parë janë 3 administratorët. Dëshira jonë do të ishte që të ishin 3 pronarët, që janë në kërkim. Nëse nuk paraqiten, me të gjithë forcën që më jep ligji, me Policinë e Shtetit do ta zbatojnë procedurën. Kushdo që i del në mbrojtje abuzimit, jemi të hapur që t’i çojmë para drejtësisë.”- deklaroi Tabaku.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku akuzoi kryeministrin Edi Rama si mbrojtësin politik të aferës së inceneratorëve. Ajo shtoi se edhe KLSH dhe Ministria e Financave e njohin se kjo është kontrata më diskriminuese, e cila nisi me 90 milionë euro dhe përfundoi me 430 milionë.
“Tani e dimë se Edi Rama di të lyejë me bojë. Çdo gjë nisi 6 vite më parë, kur PD foli për herë të parë. Dua t’i kujtoj qytetarëve që nuk harrojnë, se PD dorëzoi në tetor-nëntor 2020 tre padi në SPAK. Arrestimi i Lefter Kokës, dy pikat e para që rëndojë ndaj tij, janë denoncim i PD-së. Inceneratori i Tiranës, pasi kolegët thanë se ai i Fierit dhe i Elbasanit janë të rëndë. Por mendoj se ky është më i rëndë. Duke analizuar dosjen e koncensioneve, tregoi se të gjithë ministrat, zv/kryetarja e Kuvendit, ministri Lefter Koka, kryetari i bashkisë së Tiranës, kryeministri janë të përfshirë në këtë aferë. Në këtë dosje kanë ndodhur çudirat.
Çdo gjë është bërë në shkelje të ligjit. Çdo gjë ndodh menjëherë, gjithçka mbyllet në 32 ditë. Të gjithë ministrat bien dakord që procedurat duhet t’i bëjnë Ministria e Financave, por brenda ditës ngrihet ministri dhe bën vendim qeverie. Dhe i jep mbrojtje politike këtij procesi. KLSH dhe Ministria e Financave njohin se kjo është kontrata më diskriminuese. Nisi me 90 milionë euro, dhe përfundoi me 430 mln euro. Nga nesër do të nisim pyetjen e dëshmitarëve.”– tha Tabaku.