Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi kandidatin e kësaj force politike për kryetar Bashkie në Rrogozhinë, Edison Memolla.
Duke iu referuar situatës në kampin rival, Veliaj tha Rrogozhina duhet të ecë përpara me punë dhe jo me sherre, siç po ndodh në Partinë Demokratike.
“Në Rrogozhinë ka dy botë: ka një shtëpi të punës, por ka edhe një kasolle, ajo e sherrit, e ‘non gratës’, që zihen për brava në vitin 2022. Si në Mesjetë! Kush ia vë shulin kalasë, kush ia vë derën, hip kala-dibrançe. Zbrit se të vrava, hip se të vrava. Ndaj, Rrogozhina nuk ka kohë për të humbur. Ne do të shfrytëzojmë çdo minutë këto tre javë, që Edisoni jo vetëm të fitojë më shumë se të gjithë ata bashkë, por edhe në emër të atyre që deri më dje kanë qenë të djathtë.”- tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje demokratëve që të votojnë PS-në pasi sipas tij vetëm ata janë të angazhuar dhe e duan votën për punë.
Sipas tij ata që sot ndodhen në opozitë, shfaqen në Rrogozhinë vetëm kur ka zgjedhje. Ai e konsideroi situatën serioze në PD-në e Lulzim Bashës, ndërsa për koalicionin “Shtëpia e Lirisë” tha se situata është dramatike.
Ai komentoi edhe një video që ka qarkulluar në rrjet të kandidatit të këtij koalicioni, Hekuran Xhani, i cili shfaqej i dehur duke folur keq edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Është e disata herë që takohemi pas zgjedhjeve. Po ata të tjerët i keni parë gjëkundi? Erdhën tani sepse ka zgjedhje prapë. U kthyen tani! Teksa ne e kemi garën kush del i pari, ata zihen kush del i dyti. Ata nuk e duan 6 marsin për të bërë punë, ata e duan 6 Marsin që në 7 mars të fillojë sherri prapë. Kush ka vulën, kush ka bravën, kush ka votat? Nuk i duan votat për punë, i duan për sherr, për sherrin e tyre. Po le t’ja shohin sherrin shtëpisë së tyre.
Ata po hahen me njëri-tjetrin kush del i dyti dhe kush del i treti, se ata nuk e diskutojnë fare kush del i pari. Partia Socialiste me Edison Memolla, dalin të parët! Ndaj, për ata pak demokratë që kanë ngelur në Rrogozhinë, vota nëse je demokrat është kontratë pune, jo kontratë sherri. Nëse je demokrat thirrja ime për ty sot është: Mendo për bravën e shtëpisë tënde, jo për bravën e kasolles së sherrit.
Nëse je demokrat sot, trajtoje votën me respekt. Mos e investo votën në sherr. Investoje në punë! Investoje te një skuadër që do ta bëjë edhe vlerën e shtëpisë tënde më të lartë. Kur vendi është më i pastër, kur ka lulishte, kur ka asfalt, kur ka kanalizime, kur ka ujë 24 orë, ka vlerë puna jote, mundi yt. Pse e hedh mundin tënd te sherrxhinjtë. Situata tek Luli është serioze por aspak dramatike, jeta do vazhdojë. Situata tek Saliu dhe Iliri është dramatike. Por s’është aspak serioze. Mjafton të shikoni videot e tyre. E patë videon e atij të Saliut? Dyst komplet. Llucë që në shtatë të mëngjesit. Nuk na duhet një pijanec për Rrogozhinën, na duhet një punëtor si Edison Memolla. Ndaj kush i thotë vetes demokrat dhe e jep votën për koalicionin e sherrit, Ilir Meta dhe Sali Berisha duan të shpëtojnë lëkurën e tyre, pasurinë e tyre, milionat e tyre. Nuk e kanë fare halli tek populli.”– deklaroi Veliaj.