Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky folën me telefon për reth 60 minuta të dielën, me shefin e Shtëpisë së Bardhë që i premtoi se SHBA-ja do të përgjigjet ‘me shpejtësi dhe vendosmëri’ ndaj çdo veprimi të mundshëm ushtarak rus. Megjithatë, Biden nuk u largua nga premtimi i tij për të mos vendosur trupa amerikane në Ukrainë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ‘Presidenti Biden ripohoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës’ dhe ‘e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, së bashku me aleatët dhe partnerët ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus kundër Ukrainës’.
Biden dhe Zelensky folën për herë të fundit në fund të janarit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje homologut të tij amerikan Joe Biden që të fluturojë në Kiev ‘në ditët në vijim’.
Ftesa vjen pasi disa vende, përfshirë vetë SHBA-në, urdhëruan shumicën e stafit të tyre diplomatik të largohej nga kryeqyteti ukrainas duke përmendur frikën e një pushtimi të mundshëm rus.
“Jam i bindur se mbërritja juaj në Kiev në ditët në vijim, të cilat janë vendimtare për stabilizimin e situatës, do të jetë një sinjal i fuqishëm dhe do të kontribuojë në uljen e tensioneve”, i tha Zelensky Bidenit, sipas një deklarate të lëshuar nga shërbimi i tij për shtyp.
Një udhëtim në kryeqytet, megjithatë, nuk duket të jetë në planin e Bidenit, raportoi CNN, duke cituar zyrtarë amerikanë që thanë se një vizitë e tillë do të ishte ‘jashtëzakonisht e pamundur’.