Kompania shumëkombëshe amerikane Johnson & Johnson ka pezulluar prodhimin e vaksinës së saj Covid-19 në fund të vitit të kaluar mes një shtytjeje të fortë nga qeveria federale dhe zyrtarët shëndetësorë për të nxitur vaksinimin, raportoi ‘New York Times’, duke cituar burime të njohura me situatën.
Pushimi në prodhim thuhet se është e përkohshëm, por e vetmja fabrikë që prodhon vaksinën në qytetin holandez të Leiden, me sa duket e ka zhvendosur fokusin e saj në prodhimin e një vaksine potencialisht më fitimprurëse për një virus tjetër.
Është e paqartë nëse pushimi i prodhimit ka ndikuar në disponueshmërinë e vaksinës Covid J&J me një injeksion, pasi kompania ka një rezervë dozash.
Megjithatë, një person i njohur me situatën thotë se pezullimi mund të nënkuptojë një pakësim të prodhimit prej disa qindra milionë dozash. Fabrika pritet të prodhojë më shumë pas disa muajsh pushim.
Sipas raportit të NYT, objekte të tjera janë në pritje të miratimit rregullator ose për t’u vënë në punë për të prodhuar vaksinën Johnson & Johnson. Ndryshe nga vaksinat Pfizer dhe Moderna, Johnson & Johnson kërkon vetëm një dozë të vetme për vaksinimin fillestar, ndërsa të tjerat shpërndahen me dy doza.
Kompania raportoi 2.39 miliardë dollarë shitje nga vaksinat Covid për vitin 2021 dhe ka parashikuar një rritje në 3.5 miliardë dollarë për vitin 2022.