Vendosni fjalën kyçe....

Po merrej me celularin, Tabaku i tërheq vëmendjen administratores së inceneratorit të Tiranës: S’është normale, po merrni indikacione nga Mërtiri, Zoto apo Gugallja


Komisioni Hetimor i Incenetaroëve, ka thërritur si dëshmitarë në seancën e sotme, 3 administratorët e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Administratorja e Inceneratorit të Tiranës, e kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Ariola Kodra, iu përgjigj e para pyetjeve të deputetëve në këtë komision.

Në një moment, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku i tërhoqi vëmendjen zonjës Kodra e cila po përdorte celularin. Tabaku u ankua se dëshmitarja e thirrur po injoronte pyetjet dhe e akuzoi se nëpërmjet telefonit ajo po merrte indikacione si të përgjigjej nga shefat e saj në kërkim, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Pjesë nga debati:

Spaho: Tarifa që ju merrni nga Bashkia e Tiranës, parashikon depozitim dhe djegie, apo vetëm depozitim?

Kodra: Tarifa prej 29 euro që merr shoqëria, përfshin të gjitha procedurat, që në momentin e parë që futen kamionët e mbetjeve deri në procesin përfundimtar. Që në momentin e hyrjes, regjistrimi, procedurat e raportimeve, selektimet e në fund është incenerimi. Do të jetë faza e fundit.

Spaho: Tarifa 29 euro për ton përfshin nga hyrja e kamionit te dera kryesore, deri te incenerimi apo jo?

Kodra: Po është një tërësi procedurash. Sapo ju thash…

Spaho: Nuk po luajmë. Kam të drejtën time si deputet i Kuvendit për këtë çështje, duhet të përgjigjeni qartë, s’ka nevojë për lojëra fjalësh. Është kryer incenerimi këtë periudhë?

Kodra: Është në fazë programore.

Spaho: E kam gabim nëse e kuptoj që ju e keni marrë tarifën e mbetjeve, por ndërkohë djegie nuk është kryer?

Kodra: Tarifa merret për të gjithë procesin.

Spaho: Ajo që kuptoj unë është që për periudhën 2017-2020 jeni paguar edhe për incenerimin, edhe pse incenerimi nuk kryhet.

Kodra: Kjo është një tarifë mesatare, për 30 vitet e kontratës.

Spaho: Kur është data e fillimit të punimeve?

Kodra: Data është menjëherë pas zbardhjes së lejes së ndërtimit. Janë kryer punimet e tipit rehabilitim i zonës, gjelbërim, infrastrukturë e brendshme, pra punime që përfshihen në këtë deklaratë paraprake.

Spaho: Ju thoni që ka dokument për shpalljen e emergjencës mjedisore?

Kodra: Po, është shpallur nga shteti në atë kohë.

Spaho: Ju jeni në dijeni që ka dokument të tillë?

Kodra: Sapo ju përgjigja. Për çdo dokumentacion jemi të gatshëm t’ua vendosim në dispozicion.

Tabaku: E kujtoj se është e rëndësishme të komunikoni me njerëzit që po komunikoni me mesazhe, ku di unë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, por pas respekt për këtë komision të lutem, kur flasim na dëgjoni.

Pëllumbi: U bë e dyta herë që shkelni procedurën. Ne s’bëmë komente, bëmë pyetje. Nuk na lejohet të bëjmë komente.

Tabaku: S’është normale, ajo pret përgjigje nga celulari.

Pëllumbi: Në rast se ju shqetëson celulari, i mbyllim të gjithë. Zonja Kodra, në lejen e ndërtimit që keni marrë ka faza se çfarë punimesh do kryeni?

Kodra: Po ka disa faza, objekti i kontratës së koncensionit, që kryhet në disa faza.

Pëllumbi: Juve sot bëni integrim të menaxhuar të mbetjeve?

Kodra: Po, patjetër që po.

Pëllumbi: Sot në Sharrë ka akoma tymra që ndotin ambientin?

Kodra: Ka ndryshuar faqja, nuk është më në situatën që ka qenë ku kullosnin bagëti dhe njerëzit jetonin në grumbullin e plehrave. Jemi në fazën kur është kryer gjelbërimi i zonës. Çdo gjë është ndërtuar në përputhje me standardet Evropiane.

Pëllumbi: A ka ujëra të ndotura në Sharrë?

Kodra: Jo.

Pëllumbi: Qytetarët duan të kenë tokë të pastër dhe ajër të pastër.

Kodra: Sot qytetarët e Tiranës kanë një pajisje mbetjesh në mënyrë moderne. Nuk ka më grumbuj të mëdhenj. Sot janë të gjitha standardet e kërkuara. Këtë ua provojmë, në analizat e bëra.