Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë është ‘Akti i Emergjencave’ i Trudeau kundër ‘Karvanit të Lirisë’?


Kryeministri Justin Trudeau ka thirrur Aktin e Emergjencave për herë të parë në historinë e Kanadasë, duke përmendur si shkaqe kërcënimin për sigurinë, rendin dhe ekonominë, që pretendohet se është paraqitur nga kamionistët e Karvanit të Lirisë’ dhe simpatizantët e tyre, që protestojnë kundër kufizimeve Covid-19 në vend.

Çfarë është ligji për Emergjencat?

Miratuar në vitin 1988, Akti i Emergjencave (i njohur gjithashtu si Loi sur les masasures d’urgence) autorizon qeverinë federale në Otava që të kërkojë përkohësisht kompetenca të jashtëzakonshme në përgjigje të një emergjence që ‘rrezikon seriozisht jetën, shëndetin ose sigurinë e kanadezëve dhe është e përmasave ose e një natyre të tillë që tejkalojnë kapacitetin ose autoritetin e një krahine për t’u marrë me të’.

A është përdorur më parë?

Ligji për Emergjencat nuk ishte përdorur kurrë më parë. Media shtetërore kanadez CBC e quajti thirrjen e ligjit të hënën ‘të paprecedentë’. Versioni i tij i mëparshëm, Akti i Masave të Luftës i vitit 1914, ishte përdorur tre herë më parë – në përgjigje të Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore dhe krizës së tetorit të vitit 1970, kur separatistët frëngjishtfolës në provincën e Quebec rrëmbyen një deputet. Kryeministri që e thirri atë në atë moment ishte Pierre Elliott Trudeau, babai i kryeministrit të tanishëm.

A është ky ligj ushtarak?

Teknikisht, jo. Vetë Trudeau theksoi se nuk do të ketë trupa në rrugë. Megjithatë, kompetencat e urgjencës rrisin shumë fuqinë e Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP) për të vepruar kundër atyre që kryeministri i quajti bllokada dhe ‘pushtime të paligjshme’ në vende të përcaktuara posaçërisht. Ai gjithashtu i jep agjencisë së inteligjencës financiare të qeverisë FinTrac autoritet shtesë mbi transaksionet bankare, mbledhjen e fondeve në internet dhe transaksionet e kriptomonedhave.

Cilat masa do të merren?

Sipas Trudeau, policia lokale do të ketë ‘më shumë mjete për të rivendosur rendin’ në vendet ku tubimet publike janë shpallur ‘të paligjshme dhe të rrezikshme”, si jashtë parlamentit në Otava dhe në pikat kufitare SHBA-Kanada. RCMP gjithashtu do të jetë në gjendje të zbatojë ligjet provinciale dhe komunale aty ku kërkohet. Vendkalimet kufitare dhe aeroportet janë përcaktuar si ‘zona kritike’ dhe demonstruesit do mbahen larg tyre. Qeveria është gjithashtu e autorizuar të komandojë shërbimet e kompanive tërheqëse për të hequr platformat e mëdha të përdorura nga protestuesit. Qeveria u ka thënë bankave që të ‘rishikojnë marrëdhëniet e tyre’ me këdo që është përfshirë në protesta dhe të ngrijnë asetet e tyre pa urdhër gjykate. Autoriteti i FinTrac mbi kriptomonedhat, platformat ‘crowdfunding’ dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave është zgjeruar sipas ligjeve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sa do zgjasë?

Urgjenca hyri në fuqi të hënën pasdite dhe fillimisht supozohet të jetë në fuqi për 30 ditë, megjithëse mund të zgjatet. Sipas ligjit, parlamenti duhet të miratojë shpalljen e emergjencës brenda shtatë ditëve; do të revokohej nëse njëra nga dhomat voton kundër. Ndërsa Trudeau drejton një kabinet të pakicës, media kanadeze ka raportuar se partneri i tij de facto, NDP do të mbështesë thirrjen e emergjencës. Udhëheqësi i NDP-së, Jagmeet Singh, tha se partia e tij do të votonte me Liberalët e Trudeau dhe se ai fajëson vetëm kryeministrin që nuk i ka goditur më shpejt kamionistët.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani