Deputetët e maxhorancës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët kanë bojkotuar seancën, gjatë kohës që po jepte dëshminë e tij gazetari Jetmir Olldashi.
Deputetët socialistë kërkonin që gazetari të mos merrej në pyetje me arsyetimin se ai rezulton një person i dënuar për shpifje nga gjykata për çështjen që po shqyrtohet në komision.
“Dëshmitari nuk mund të dëshmojë. Në bazë të nenit 156 gërma ç, zotëria nuk mund të dëshmojë, për shkak të papajtueshmërisë me detyrën e dëshmitarit. Nuk bën dot dëshmitarin, se është i dënuar për këtë çështje, ky ka një dënim nga gjykata e shkallës së parë dhe rezulton i dënuar për këtë çështje.”– tha deputeti socialist Arben Pëllumbi.
Gjatë dëshmisë së tij, Olldashi foli për investigimet dhe informacionet që ai kishte lidhur me kompanitë e inceneratorëve dhe pronarët e tyre.
“Lidhur me aferën e inceneratorëve kam dëgjuar dhe kam pasur dijeni që në 2016 dhe tek Neës 24 tek emisioni “Te paekspozuarit”. Kemi bere nje emision te tere në vitin 2016 lidhur me këtë fakt, pa u njohur ende ceshtja e inceneratoreve, pa u dhënë akoma PPP-të. Më pas jemi marre me shkrime per lidhjen e Stela Gugalljas, Klodian Zotos Mirel Mertiri te cilat lidheshin me njera tjetren nepermjet kompanive off shore.
Kemi marrë edhe shkrime të kolegëve të tjerë dhe i kemi pasqyruar. Së fundmi ishte një aferë në Zimbambe, 60 milionë dollarëshe ku Ilir Dedja dhe Mirel Mërtiri ishin në këtë projekt i cili rezultoi me arrestimin e Ministrit të Shëndetësisë në atë vend. Ekziston foto. Kanë bërë biznes bashkë. Ndërkohë në Shqipëri nisën aferat e inceneratorëve.”- tha Olldashi.
Më tej ai shtoi se “Mirel Mërtiri ka kërkuar të fshijmë lajmet”. Ndërkohë përfaqësuesit e maxhorancës e lanë sallën.
Dëshminë e tij e dha edhe gazetari Artan Rama, për të cilin pati gjithashtu kundërshtime nga socialistët.
“Unë kam bërë disa shkrime në lidhje me inceneratorët dhe me kompanitë që kanë marrë përsipër ndërtimin e tyre. Një prej këtyre shkrimeve është objekt i një padie civile në gjykatë. Ende nuk ka filluar si proces. Është në fazën paraprake.
Lidhur me të njëjtën nevojë, mund të them diçka që, në lidhje me profesionin që unë ushtroj, gazetarinë Investigative, paditë civile, lidhur me dëmin e mundshëm që mund t’i shkaktohet kompanive është diçka normale, e mundshme. Madje në deontologjinë tonë të gazetarisë investigative, ndonjëherë këto padi tregojnë shkallën e suksesit. Në përgjithësi kompanitë kërkojnë të rivendosin atë që ato e quajnë, autoritet të humbur.
Unë gjykoj, unë kam patur padi të tjera të cilat i kam fituar, për shkak të punës që unë bëj. Unë mendoj se reputacioni është diçka që iu takon si njerëzve dhe kompanive por është diçka që nuk fitohet në gjykatë por duhet fituar.”– tha gazetari Artan Rama.