Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi prezantoi sot Rregulloren e Maturës Shtetërore 2022, gjatë një takimi me maturantë nga gjimnaze të ndryshme të vendit.
Ministrja Kushi tha se në bashkëpunim me të gjitha institucionet e varësisë do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore.
Prioritet në maturën e këtij viti do të jetë rritja e mëtejshme e cilësisë që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimit të maturës.
“Sot prezantuam rregulloren e Maturës Shtetërore 2022 me një grup maturantësh nga gjimnaze të ndryshme të vendit.
Prioritet në maturën e këtij viti do të jetë rritja e mëtejshme e cilësisë, që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimeve të maturës. Një vëmendje të veçantë do të ketë edhe trajnimi i mësuesve të përfshirë në proces, hartuesit, administruesit, vlerësuesit, si dhe të gjithë mësuesit e angazhuar në gjimnaze për të përgatitur maturantët.
Në javët në vijim do të zhvillojmë një tur të gjerë takimesh në qytete të ndryshme të vendit për të informuar dhe konsultuar më mirë maturantët dhe mësuesit në lidhje me Maturën Shtetërore 2022.”– shkruan Kushi.
Datat e provimeve do të jenë 9 Qershor për Gjuhën e Huaj, 11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, 17 qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.
Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.
Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.