Pas njoftimit të Moskës që trupat e saj kanë filluar të kthehen në bazat e tyre pas stërvitjeve në Bjellorusi, afër kufirit me Ukrainën, ka reaguar NATO.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se pavarësisht se ende nuk sheh depërshkallëzim të situatës në terren, ka shpresë që diplomacia t’i japë fund tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit.
Duke folur në një konferencë shtypi përpara një takimi me ministrat e mbrojtjes nga vendet anëtare të martën, Stoltenberg paraqiti vlerësimin e tij për klimën aktuale në vijën e demarkacionit ruso-ukrainas.
“Deri më tani, ne nuk kemi parë ndonjë de-përshkallëzim në terren, nuk kemi parë ndonjë shenjë të reduktimit të pranisë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën.”- pohoi ai, citon RT. “Por ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe të ndjekim nga afër atë që po bën Rusia”.
Sipas ish-kryeministrit norvegjez, megjithatë, ka “shenja që vijnë nga Moska për gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në përpjekjet diplomatike. Kjo na jep disa arsye për optimizëm të kujdesshëm, por sigurisht që do të ndjekim nga afër atë që po ndodh në terren.”
“Ajo që ne duhet të shohim është një tërheqje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e forcave, trupave dhe pajisjeve të rënda.”– vazhdoi ai.
Më herët të martën, Ministria e Mbrojtjes e Moskës njoftoi se trupat e saj kishin përfunduar stërvitjet e tyre të përbashkëta stërvitore në Bjellorusi dhe do të fillonin procesin e tërheqjes.
Udhëheqësit perëndimorë kanë shprehur frikë prej muajsh se Rusia mund të planifikojë një pushtim të fqinjit të saj dhe kanë vënë në dukje raportet për një grumbullim trupash në kufirin e përbashkët të dy vendeve.