Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve ka raportuar edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka deklaruar se bashkia i detyron ndërtuesit pa asnjë akt ligjor që të çojnë dhera në landifille për të mbuluar gropat helmuese të mbushura me mbetje. Pasi në të kundërt sipas tij, nuk do të përfitojnë lejet e ndërtimit.
Pjesë nga diskutimi në Komision:
Aleksi: Efektivisht me nenin 17 dhe vendimin 99 ne si ndërtues nuk kemi asnjë të drejtë. Të gjitha punimet, gërmimet, ne jemi dakord t’i zbatojmë dhe të paguajmë të gjitha taksat dhe tarifat që vendosen. Faktikisht, neve me një vendim që nuk e dimë, nga bashkia detyrohen për të lidhur marrëveshje të veçantë me përfaqësuesit e landfillit. Të konsiderosh dheun mëmë është një gjë pa sens, e pa logjikshme dhe e pa ligjshme. Vendimi 99 e ka përcaktuar qartë dhe thotë se pika 1 konfirmon se katalogu i falsifikimit të mbetjeve është në përputhje me katalogun evropian dhe është pjesë përbërëse e tij. Edhe katalogu shqiptar i mbetjeve duhet të bëhet sipas ndryshimeve që ka katalogu evropian i mbetjeve.
Tabaku: Unë e kam nxjerrë edhe direktivën, edhe listën që ju i referoheni.
Aleksi: Në katalogun evropian të mbetjeve që është miratuar me vendimin e komiosionit evropian dhe sipas aneksit 3 të direktivës 2008. Ky aneks parashikon që direktiva përcakton masat për të mbrojtur mjedisin. Në lidhje me menaxhimin e dheut për mbetje, nuk parashikohet asnjë detyrim ligjor, e madje nuk parashikohet asgjë e veçantë. Neni 2 i kësaj derektive shkruan: Përjashtohen nga fushëveprimi i kësaj direktive toka e pa kotanimuar. Ky është fakti. Kjo është esenca e problemit. Në një kohë kur për çdo metër kub dhe që çojmë në landfill e konsiderojmë mbetje. Ky dhe është mall, është vlerë dhe duhet t’i japim pronarit të landfillit edhe një taksë. Dheu që çojmë në landfill është lëndë e parë, e pasuron atë. Qysh në 2018 që doli ky problem, i kërkuam bashkisë takim, kemi marë një përgjigje që nuk është përgjigje. Bënin të paditurin. Ata na detyrojnë të bëjnë marrëveshje me landfillin. Ne kemi qenë bashkë me Dhomën e Tregtisë. Është bërë takim në bashki dhe po kjo treshe i ka shkuar ministrit Klosi, Gjiknuri dhe Qatos, ministre shteti për mbrojtje. Kjo situatë nuk është rregulluar akoma.
Tabaku: Duke u përpjekur se cili është akti i bashkisë që na detyron për të shkuar atje se kuptoj?
Aleksi: S’na jep lejen e ndërtimit. Na thonë shkoni e bëni këtë punë.
Tabaku: Bashkia ju bën presion?
Aleksi: Nuk është presion. Na thuhet që do të bëjmë marrëveshje për të paguar taksat.
Tabaku: Unë gjeta në faqen e inceneratorit tarifat dhe është ajo që ju thoni. Thuhet që për dherat e inertet janë deri në 20 mijë lekë për ton. ne kemi shqetësimin se kemi një kontratë që ka krijuar volum pune shtesë, duke krijuar një burim tjetër të ardhurash.
Aleksi: Të gjitha ndërtimet, duhet të shkojnë, edhe dherat. Këtu problemi shtrohet për tokat normale, dherat normale. Si do e quajmë tokën ku jemi rritur të gjithë? Të helmuar, e do ia japim koncensionarit?
Tabaku: E kam të qartë këtë, por sa mund të jetë volumi i dherave që shkon atje?
Aleksi: Nuk mund ta jap sepse nuk kam informacion. Varet edhe nga lloji i materialit.