Vendosni fjalën kyçe....

Putin pas takimit me Scholz: Rusia nuk dëshiron luftë


Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz janë takuar sot në Moskë, menjëherë pasi Rusia tha se trupat e saj kishin filluar të tërhiqeshin nga kufiri ukrainas. Një njoftim ky që u pa me skepticizëm në Perëndim.

Pas takimit me Scholz, Putin tha se Moska është e gatshme për bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për kufizimet lidhur me vendosjen e raketave dhe transparencën ushtarake, megjithëse Rusia nuk kishte marrë përgjigje pozitive për kërkesat e saj të sigurisë.

Udhëheqësi rus këmbënguli se ai nuk dëshiron një luftë rreth Ukrainës.

“A duam një luftë apo jo? Sigurisht që jo. Kjo është arsyeja pse ne parashtruam propozimet tona për një proces negocimi.”– tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman, citon Euronews.

Putin tha se SHBA-ja dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesën e Moskës për të mbajtur Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë NATO-s, për të ndaluar vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe për të tërhequr forcat e aleancës nga Evropa Lindore.

Megjithatë SHBA dhe NATO kanë rënë dakord të diskutojnë një sërë masash sigurie që Rusia kishte propozuar më parë.

Scholz tha se ai pajtohet se opsionet diplomatike nuk janë “shumë të shterura”. Njoftimi i tërheqjes së trupave është një “sinjal i mirë”, tha ai, duke shtuar se shpreson se “do të pasojnë më shumë”.