Vendosni fjalën kyçe....

Do mbështetemi edhe për shumë kohë te nafta dhe gazi, herët për t’i braktisur – Putin


Burimet natyrore si nafta dhe gazi do të përdoren në mënyrë aktive për një kohë të gjatë, tha javën e shkuar presidenti rus Putin. Sipas tij, kërkesa për hidrokarbure pritet të mbetet edhe për të paktën 50 vjet.

“Unë kam përsëritur shpesh se është shumë herët për të braktisur hidrokarburet,” vuri në dukje Putin, “po gjithsesi ne duhet të kuptojmë se ku po shkon njerëzimi”.

Sipas tij, kjo është veçanërisht e rëndësishme për mirëqenien ekologjike dhe cilësinë e jetës së rusëve, e cila është një prioritet.

Presidenti rus, i cili ka bërë thirrje për ruajtjen e një “ekuilibri interesash” midis sektorëve të hidrokarbureve dhe burimeve të rinovueshme, kishte udhëzuar më herët qeverinë të studionte futjen e burimeve alternative të energjisë në disa nga rajonet e vendit. Kabineti i Ministrave duhet të dorëzojë propozimet brenda shtatorit.

Putin kishte thënë gjithashtu më herët se Rusia do të arrijë neutralitetin e plotë të karbonit deri në vitin 2060, duke theksuar se do të kërkohet shumë punë për të arritur këtë qëllim. Presidenti gjithashtu vuri në dukje se është e rëndësishme që të mos kthehet axhenda e klimës në një mjet për zgjidhjen e çështjeve politike ose ekonomike.