Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Nju Jork në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në OKB, u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken.
Pas takimit, Rama dha një intervistë për Zërin e Amerikës ku zbuloi temat e diskutimit që sipas tij u prekën në tërësi të gjitha. Që nga bashkëpunimi në KS dhe deri te rajoni e ecuria e reformave të Shqipërisë kanë qenë temat e diskutimit mes Ramës e Blinken.
“Diskutuam për bashkëpunimin në KS, me ecurinë e reformave, për rajonin dhe në tërësi prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie, përfshirë dhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s.”, tha Rama.
Lidhur me rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë, Rama tha se do ketë një bashkëpunim me SHBA-të.
“Është një proces kur dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara dhe SHBA na propozoi ne këtë bashkëpunim, e pranuam me shumë kënaqësi dhe kjo na jep mundësi që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë.
Për Ukrainën nuk është një çështje e Shqipërisë por e gjithë botës, e OKB-së… Ne në këtë proces do të kemi krah SHBA-së dhe vendimmarrja do të jetë e SHBA-së. Ministria për Evropën dhe Punët e jashtë ka marrë masat për shqiptarët në Ukrainë, kemi disa qytetar shqiptare që kanë pjesë e misionit të OSBE-së dhe vazhdojnë të jenë atje”-deklaroi Rama.