Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina: Ne do ta besojmë tërheqjen e forcave ruse kur ta shohim atë


Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba thotë se Rusia duhet të tërheqë të gjitha forcat e saj të mbetura nga kufiri i përbashkët mes dy vendeve.

“Ne kemi një rregull: mos besoni atë që dëgjoni, besoni atë që shihni.”- u tha ai gazetarëve pas raporteve në medie që disa trupa ruse po ktheheshin në bazë.

“Kur të shohim një tërheqje, ne do të besojmë në një de-përshkallëzim.”- vijoi ai sipas BBC-së.

Ministri Kuleba shton se rruga diplomatike që Ukraina po ndiqte me aleatët e saj po punon për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Ky reagim i tij vjen pasi Rusia njoftoi tërheqjen e një pjesë të trupave të saj nga kufiri me Ukrainën. Tërheqja e disa njësive të ushtrisë vjen teksa në Moskë pritet të mbërrijë kancelari gjerman, Scholz dhe pas një serie takimesh e bisedash telefonike mes presidentit rus Putin e homologëve të tij, Macron e Biden.