Vendosni fjalën kyçe....

Zakharova: 15 shkurti 2022 do hyjë në histori si dita e dështimit të propagandës perëndimore të luftës, u turpëruan pa u gjuajtur asnjë fishek


Me njoftimin e Rusisë se trupat e saj po tërhiqen pas përfundimit të stërvitjeve pranë kufirit me Ukrainën, Moska ka këmbëngulur se parashikimet perëndimore se sulmi ndaj Ukrainës ishte vetëm disa çaste larg u provuan krejtësisht të rreme.

Në një deklaratë të furishme të martën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, hodhi poshtë raportet dhe pretendimet e javëve të shkuara të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë se forcat e armatosura të Moskës ishin shumë pranë sulmit ndaj fqinjit të saj.

“15 shkurt 2022 do hyjë në histori si dita kur dështoi propaganda perëndimore e luftës”, shkroi ajo. Sipas saj, perëndimi u ‘turpërua dhe shkatërrua pa gjuajtur asnjë fishek’.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes e Moskës njoftoi se një numër i trupave ruse kanë përfunduar stërvitjet e tyre të planifikuara në Bjellorusi, afër kufirit me Ukrainën dhe kanë nisur procesin e tërheqjes.

Komentet e Zakharova vijnë pasi gazeta amerikane e biznesit Bloomberg raportoi të shtunën, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, se një ofensivë kundër Ukrainës mund të ndodhë që të martën. Agjencia raportoi se një sulm i mundshëm mund të përfshijë një provokim në rajonin e Donbass.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, i tha CNN gjatë fundjavës se ‘burimet’ dhe ‘inteligjenca e mbledhur’ sugjeruan se ‘aksioni i madh ushtarak’ mund të fillonte në çdo çast.