Vendosni fjalën kyçe....

Spaho largohet nga komisioni për inceneratorët: PS në konflikt interesi, po e saboton


Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka njoftuar largimin e tij nga komisioni hetimor për inceneratorët.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme, anëtari i Komisionit për Rithemelimin e PD-së tha se nuk do marrë pjesë në asnjë komision për sa kohë ata që i kërkojnë këto komisione të kenë shumicën.

“Raste si Stela Gugallja nuk e nderojnë këtë komision. Mazhoranca do që ky komision do të dështojë. Nuk dua të jem pjesë e këtij komisioni dhe nga sot e në vazhdim nuk do jem pjesë e komisioneve derisa ata që kërkojnë komisionet hetimore të kenë shumicën. Në Shqipëri nuk mbahen referendume dhe do të ndërmarr një iniciativë ligjore që të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore. Mazhoranca në daç ta votojë në daç jo. Nga praktika e komisioneve të mëparshme dhe veçanërisht nga puna e këtij komisioni dhe qëndrimit të mazhorancës ditën e djeshme, shoh që ky komision do të ketë të njëjtin fat si komisionet e tjera hetimore. Mazhoranca që ndodhet në konflikt interesi, ata nuk duhet të jenë pjesë e komisionit dhe do të vijojnë të sabotojnë. Unë e ndjej si detyrim këtë gjë, faleminderit.” – tha Spaho.

Pas Spahor, kryetarja e komisionit, nënkryetarja e PD-së Tabaku tha se komisioni parlamentar po hedh dritë lidhur me aferën e inceneratorëve dhe nuk do dështojë.

Ajo theksoi se opozita nuk ka marrëveshje me diçka apo këdo lidhur me këtë aferë a komision.

“Unë ju falenderoj, ndaj disa nga shqetësimet tuaja. Si për gazetarin dhe rastet e tjera, ka qenë dëshira ime që ju të ishit anëtar në komision. Dua t’ju kundërshtoj. Ky komision po hedh dritë për këtë aferë, nuk e lë unë që të dështojë. Ne nuk kemi pasur kompromis për diçka apo për këdo. I falenderoj anëtarët e komisionit, e po hedhim dritë për këtë aferë. Unë kam kërkuar këshilltarit ligjor për përjashtimin e zonjës Felaj. Do shumë guxim dhe integritet t’i vendosësh emër komisionit. Unë falenderoj deputetët e opozitës për këtë. I di vështirësitë për këtë. Unë shpresoj që juve të jenë pjesë e këtij komisioni, nëse gjykoni të mos jeni kemi zëvendësues, por është një përpjekje në ekip për t’i dhënë spunton e duhur këtij komisioni. Ju e shikoni se çfarë pyetjesh i bëjmë dëshmitarëve, pa asnjë kompromis. Ju do të doja të jeni pjesë, ju keni drejtuar disa komisione, unë e kam për herë të parë. Duhet t’ia dalim të gjithë si ekip.” – tha Tabaku, siç citohet nga BW.