Kryeministri Rama ka pohuar sot se SHBA-ja është 100 për qind mbështetëse e nismës Ballkani i Hapur.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët që e kanë shoqëruar nga Shqipëri në vizitën në Nju Jork, kreu i qeverisë tha se në muajt në vijim do ketë të reja lidhur me këtë nismë.
“Jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka mbështetur plotësisht dialogon Kosovë-Serbi. Është 100 për qind në mbështetje të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur se në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e Hapur. Kemi folur me Blinken për Ballkanin e Hapur dhe mbështetja është 100 për qind.” – tha Rama.
Më tej ai ka thënë se Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë apo NATO-s por rival për arsyet e njohura të gjeopolitikës.
“Kam takuar të gjithë që ishin aty se kam konkretisht se kush ishte. S’kemi asnjë problem tonin me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik, kundërshtar. Këtë e kam thënë në çdo instancë. Jo i joni, por as i aleancës tonë. Është një vend rival, konkurrent, për arsye të njohura të gjeopolitikës. Edhe gjatë kohës kur drejtonim OSBE jam takuar me ambasadorin rus dhe kemi pasur marrëdhënie pozitive, duke pasur qëndrime të ndryshme.” – shtoi Rama