Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmitarja shpërthen në lot në Komisionin për inceneratorët, Shalsi: Në gjendje të tillë emocionale, nuk ia vlen ta dëgjojmë


Në mbledhjen e sotme, ishte thirrur në Komisionin Hetimor për Inceneratorët për të dëshmuar iish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit, Sabina Cenameri.

Kjo e fundit ka shpërthyer në lot në një moment që nuk është transmetuar në kamera, kjo pasi kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, kërkoi 5 minuta pushim pas një sërë debatesh mes palëve, ku më pas zonja kërkoi të pinte pak ujë dhe dukej që nuk ndihej mirë.

Kur mbledhja rifilloi deputeti socialist, Eduard Shalsi, kërkoi që dëshmitarja Cenameri të mos merrej më në pyetje për shkak të gjendjes së saj emocionale. Këtij qëndrimi iu përgjigj Tabaku duke thënë se kjo çështje ishte zgjidhur dhe se për respekt të zonjës nuk e përmendi incidentin, por sipas saj ajo ishte vënë në presion pikërisht nga kolegët e maxhorancës.

Pjesë nga diskutimi:

Shalsi: Kërkoj ndjesë sepse isha në Komisionin e Ekonomisë dhe nuk e dëgjova të gjithë debatin nga fillimi. Zonja në fjalë është e thirrur në SPAK.

Tabaku: Nuk është e thirrur në SPAK, ka dhënë një dëshmi.

Shalsi: A keni dhënë dëshmi në SPAK?

Cenameri: Po kam dhënë dëshmi në SPAK.

Shalsi: Atëhere do i kërkoj komisionit, që pavarësisht statusit si është thirrur në SPAK, zonja të përjashtohet nga dëshmia dhe unë nuk mund të marr pjesë në një dëgjojë që mund të kompromentojë padashje punën e SPAK-ut.

Tabaku: E kemi zgjidhur dhe e kemi diskutuar zoti Shalsi. Me zv.kryetarin e Komisionit e kemi diskutuar, në SPAK janë thirrur një grup personash me disa kategori të ndryshme, si i pandehur, si person në hetim, si deklarues, si dëshmitar. Ne nuk do të kemi absolutisht asnjë pyetje me ata persona të cilët janë marrë të paditur apo janë nën hetim. Sepse ata persona kanë firmosur që të mos bëjnë asnjë deklaratë jashtë SPAK-ut. Ndërkohë që të gjithë kategoria tjetër nuk e kanë dhënë këtë deklaratë. Zonja këtu do të pyetet. Nëse ka dëshirë do përgjigjet, nëse nuk ka dëshirë nuk do të përgjigjet, nuk do ushtrojmë presion ndaj askujt këtu por nuk mund të na hiqni të drejtën që të pyetet.

Shalsi: E kuptoj dhe e respektoj atë që thoni ju. Nga ana tjetër, pashë një gjendje emocionale të themi krejtësisht të papërshtatshme për të bërë të mundur një dëgjesë objektive, me shumë sinqeritet e them. Nuk e di c’ka ndodhur me pyetje-përgjigjet po pashë një reagim dhe vazhdoj që ta shoh dhe do thoja të jemi të kujdesshëm se në një gjendje emocionale të tillë, pavarësisht statusit se si është thirrur nga SPAK, nuk do të jetë objektivisht e vlefshme që të dëgjojmë një dëshmi të tillë. Unë personalisht e kam shumë të vështirë që të dëgjoj dëshminë e një njeriu që është thirrur për të dëshmuar, foli për eksperiencën, nuk e di planin e hetimit, por nuk besoj se një dëgjesë e tillë do i shërbejë Komisionit, mjafton ta shohësh.

Tabaku: Për etikë të zonjës nuk e përmenda këtë incident. Unë thashë bëjmë një pushim për të administruar dosjen dhe ju ua sollët njerëzve në vëmendje. Ju e thatë çfarë doni, nëse doni ta bëni transparente për publikun zonja u emocionua të disa kolegëve të mazhorancës. Nuk doja fare ta hapja këtë, por ju e sollët. Po vini një presion të kotë mbi zonjën për disa pyetje që ajo ka dëshirë të përgjigjet. Nëse nuk ka nuk do përgjigjet. Mos të rrimë ta përsërisim. Nuk u cenua nga asgjë që thamë ne, kolegët socialistë ranë dakord, nuk e kuptoj çfarë ndodhi por ju komandojmë që të mos vazhdoni.