Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se vodhën 5 mijë euro mall, pranga dy autorëve e pronarit të pikës së skrapit në Elbasan


Dy persona janë arrestuar në Elbasan pasi akuzohen se kanë vjedhur mall me vlerë 5 mijë euro në kompaninë e një shtetasi me iniciale K.B., banues në Elbasan.

Bashkë me 27-vjeçarin me iniciale D.K. e 30-vjeçarin me iniciale D.M. është prangosur edhe pronari i një pike skrapi, pasi akuzohet se ka blerë materialet e vjedhura.

Njoftimi

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen e autorëve dhe venien e tyre para përgjegjësisë penale, bazuar në informacionet e siguruara për vjedhjen në një firmë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bradasheshi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve D. K., 27 vjeç dhe D. M., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 08.02.2022, në lagjen “Çlirim”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur pajisje të ndryshme, me vlerë 5000 euro, në firmën në pronësi të shtetasit K. B., banues në Elbasan.

Gjithashtu, në vijim të operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi P. Ç., 56 vjeç, pronar i një pike skrapi, pasi ka blerë pajisjet e vjedhura nga shtetasit e lartpërmendur. Këta shtetas dyshohet se kanë kryer edhe disa vjedhje të tjera. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.