Koncesionari i përpunimit të mbetjeve në Tiranë ka fryrë faturat e punimeve me qëllim për të fshehur fitimin e vërtetë.
Mbi 2 milionë euro konsulenca dhe 500 mijë euro telefoni janë dy nga zërat e zbuluara, prej Kontrollit të Lartë të Shtetit që cilësohen të çuditshme.
Ndërsa fitimi i kompanisë shkon sa 50 për qind e tarifës duke e kthyer në kompaninë me më shumë fitim në Shqipëri. pikërisht në bazë të kësaj analize në kryeqytet u rrit tarifa e pastrimit.
Kostot për menaxhimin e mbetjeve nga koncesionari i Tiranës janë fryrë. Ky është një nga konkluzionet ku ka mbërritur Kontrolli i Shtetit sa i përket incineratorit të kryeqytetit.
Në dokumentin konfidencial konstatohen dhe shifra të çuditshme.
Kompania e cila do të realizojë grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve ka parashikuar të shpenzojë 2 milionë e 115 mijë euro vetëm për konsulencë.
Janë pikërisht aksionerët e koncesionit të Fierit, Klodian Zoto dhe i Elbasanit Stela Gugallja, që ofronin këtë shërbim. Pra me pak fjalë dhe pronarë dhe konsulent.
Po ashtu dhe një tjetër faturë e rëndë shkon për shërbimin e telekomunikacionit. Në këtë rast koncesionari ka parashikuar të shpenzojë 507 mijë euro. Situacionit i shtohen dhe 58 milionë euro shpenzime të tjera administrative.
Përmes këtij rezultati koncesioni pretendon se do të fitojë 2.9 euro për njësi.
Por sipas analizës së KLSH situata është krejtësisht ndryshe, fitimi për njësi arrin në 14.46 euro ose rreth gjysma e tarifës prej 29.05 euro për ton që do të paguhet në depozitimin e mbetjeve.
Por me sa duket gjithçka ka kaluar në heshtje pasi bashkia e Tiranës dha dakordësinë.
Por KLSH shprehet se deri sa bashkitë e tjera të qarkut Tiranë heshtën, gjithçka duhej të ishte ndërprerë.
“Në këtë rast qasja e MFE duhet të ishte refuzuese duke e bllokuar projektin dhe jo të “shprehej pa komente për sa kohë që financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit është Bashkia Tiranë, e cila ka shprehur parimisht dakordësinë”, thuhet në dokumentin konfidencial.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Oranews